
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella, zbuloi para ndeshjes me Erzenin se Eljon Sota do të mungonte në ndeshje pasi ka pësuar një dëmtim muskulor. Mirëpo, mbrojtësi u bë pjesë e ekipit në stol dhe duket se ishte me “mision”. Fieraku veç Erzenit, do të humbasë edhe ndeshjen e radhës me Kukësin për arsye dëmtimi por tanimë bëhet faktuale.
Në pjesën e dytë, Sota u ndëshkua me karton të verdhë për protesta duke plotësuar kështu 4 kartonë dhe humbet zyrtarisht ndeshjen e ardhshme. Në këtë mënyrë, ai pastron llogaritë e tij para derbit duke “harxhuar” një karton me Kukësin edhe pse nuk do të ishte i gatshëm gjithsesi.
Rreziku qëndron në Komisionin e Disiplinës me mbrojtësin që mund të marrë një dënim që do të hidhte në erë planin e Partizanit. Nëse Komisioni vendos se veprimi i mbrojtësit ishte i qëllimshëm atëherë dënimi me një ndeshje do të bëhej me 2 ndeshje duke humbur kështu edhe derbin e madh pas dy javësh.