Tashmë e gjithë vëmendja është kthyer menjëherë te ndeshjet e javës së 15-të të Superiores që do të luhen në fundjavë. Në fakt në fokus është derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, por nuk ngelen prapa edhe duelet e tjera që premtojnë spektakël.
Kjo javë do të luhet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën. Gjithçka do të “ngre” siparin me sfidën mes Egnatias dhe Vllaznisë. Kjo përballje do të luhet të shtunën në “Egnatia Arena” duke nisur që nga ora 13:30. Rrogozhinasit vijnë si lider të Superiores dhe do të kërkojnë një tjetër 3 pikësh në shtëpi, ndërsa shkodranët u rikthyern te fitorja pas disa javës, me Qatip Osmanin që mori edhe triumfin e parë në stolin e Vllaznisë.
Në orën 17:00 në Korçë do të luhet një tjetër ndeshje interesante. Skënderbeu pret Erzenin. Korçarët vijnë pas barazimit, teksa shijakasit vijnë pas fitores në javën që kaloi dhe në duelin mes tyre do të tentojnë të vazhdojnë me rezultatet pozitive.
Ndërkohë të dielën do të luhen 3 takimet e tjera. Në orën 13:30 do të sfidohen Kukësi me Teutën. Verilindorët morën një barazim, ndërsa durrsakët u mposhtën. Një duel ku të dyja ekipet janë të dënuara vetëm për fitoren, pasi në të kundër do të rrezikojnë të “zhyten” akoma më shumë në tabelën e renditjes.
Në orën 16:00 do të luhet sfida mes Dinamos dhe Laçit. “Blutë” vijnë pas barazimit me Partizanin në derbi dhe janë të motivuar për një tjetër rezultat pozitiv, ndërsa kurbinasit prej më shumë se 5 javësh nuk e njohin fitoren.
Kjo javë do të mbyllet me “qershinë mbi tortë”. Tirana dhe Partizani do të përplasin “brirët” në “Air Albania” duke nisur që nga ora 19:00. Një supersfidë “titanësh” ku fitorja vlen për lavdi dhe moralin e skuadrës. Bardheblutë kërkojnë 3 pikët për të marrë “hak” ndaj demave dhe për të shëruar disa “plagë” të këtij sezoni, ndërkohë të kuqtë vijnë si superior dhe janë më të favorizuar.