Java e 22-të e Superligës u mbyll me supersfidën Partizani-Tirana 2-1. Një derbi që dhuroi gola dhe emocione në “Selman Stërmasi”, por, pas në aspektin e ndeshjeve të luftuara nuk mbetën as Skënderbeu-Luftëtari 3-0, Laçi-Kukësi 0-0, Flamurtari-Teuta 0-1 dhe Korabi-Vllaznia 0-2.
Newsport.al ka përzgjedhur edhe për këtë javë të 22-të të kampionatit, 11 futbollistët që spikatën më shumë dhe trajnerin më të mirë.
Në portë, Orges Shehi përzgjidhet si portieri më i mirë i javës. Kapiteni i Skënderbeut bëri disa ndërhyrje shpëtimtare kundër Luftëtarit, duke u treguar vendimtar për të mbajtur rrjetën të paprekur.
Në mbrojtje, duke nisur nga krahu i djathtë, Albi Doka i Tiranës tregoi se ka një të ardhme të sigurt. Në derbi tregohet “senator” dhe zhvillon një ndeshje të madhe duke mbuluar Mazrekajn e më pas Trashin. Në fushë nuk tregon që është 19 vjeç!
Në qendër, Renato Malota shënoi golin e parë për Partizanin në derbi dhe më pas “eklipsoi” sulmuesit e Tiranës në zonë. Derbi i parë si titullar, goli i parë me fanellën e Partizanit dhe një sfidë për t’u mbajtur mend nga lezhjani.
Përkrah Malotës në qendër të mbrojtjes, nga newsport.al për këtë javë të 22-të të Superligës është përzgjedhur Marko Radas. Kroati i Skënderbeut u kujdes për të shënuar një euro gol përmes goditjes së dënimit nga një distancë prej 30-35 metra dhe më pas ndali me sukses “vërshimet” e Rexhinaldos së Luftëtarit.
Në krahun e majtë të repartit defensiv është Blerim Kotobelli. Mbrojtësi i Teutës tregohet konstant gjatë gjithë ndeshjeve me “djemtë e detit”, ndërsa kundër Flamurtarit në fitoren 1-0 të Teutës në Vlorë ishte në super formë duke u treguar i rrezikshëm përmes daljeve dhe krosimeve nga e majta.
Në mesfushë, Gjergji Muzaka në krahun e djathtë. 31-vjeçari duket i rilindur në Korçë. Gjen golin e parë pas rikthimit te Skënderbeu në sfidën kundër Luftëtarit, ndërsa trajneri Ilir Daja i besoi me të drejtë postin e titullarit edhe pse nuk luante që prej 23 dhjetorit 2016.
Në qendër, Asion Daja i Tiranës rikuperoi topa pa fund kundër Partizanit dhe shpërndau lojën në mënyrën që di ta bëjë më mirë. I kudondodhur!
Tarik Cmajcanin i Teutës meriton të reshtohet mes më të mirëve të javës së 22-të të Superligës. Mesfushori 22-vjeçar shënoi golin e fitores për “djemtë e detit” kundër Flamurtarit pikërisht në minutën e fundit shtesë.
Liridon Latifi nuk surprzion aspak me përzgjedhjen në 11-shen më të mirë. I papërmbajtshëm kundër Luftëtarit, shënoi gol dhe mori pjesë në aksionin e golit të parë të shënuar nga Muzaka duke dribluar katër kundërshtarë.
Në sulm përzgjidhet dyshja Ekuban-Bakaj. Sulmuesi i Partizanit vulosi derbin kundër Tiranës me golin në minutën e 71-të. Kaleb Ekuban është një arsye më shumë për të kuqtë që mbajnë ndezur shpresën për titull.
Elis Bakaj rikthehet në Superligë me Vllazninë, ndërsa në tri ndeshje në kampionat ka shënuar tre gola. I fundit, ai i kësaj jave kundër Korabit në fitoren 2-0 të shkodranëve.
Trajneri i javës është Sulejman Starova. Fitoi derbin! Pas golit të barazimit nga Olsi Teqja kuptoi ku duhet të ndërhynte për të mos dalë thjesht me një pikë nga sfida kundër bardhebluve. Ndërrimet e bëra prej tij i dhanë të drejtë trajnerit të Partizanit./ NEWSPORT.AL
Formacioni më i mirë i Javës së 22-të të Superligës:
Shehi
Doka, Malota, Radas, Kotobelli
Muzaka, Daja, Tarik, Latifi
Ekuban, Bakaj
Trajner: Sulejman Starova