Të gjithë lojtarët e Tiranës janë gati për të rinisur kampionatin dhe siç kanë deklaruar në media, mezi presin të rifillojnë për të fituar titullin në fushë. Jo më larg se dje, mesfushori i bardhebluve, Idi Batha u shpreh për neësport.al që ishte stërvitur gjatë kësaj periudhe në terrenet sportive të klubit kryeqytetas. Jo vetëm gjirokastriti por një pjesë e mirë e skuadrës ka gjetur mundësinë në këtë periudhë të vështirë të Coronavirusit dhe është përgatitur në fushën e blertë.
Ky fakt ka shqetësuar së tepërmi rivalët. Fillimisht ishte Adolfo Sormani që kritikoi veprimin e klubit bardheblu duke u shprehur se ka parë lojtarë të Tiranës duke u stërvitur në fushë me kushtet e duhura. Pas trajnerit të Partizanit është radha e Nderim Nexhipit, drejtorit sportiv të Kukësit që ky fakt i ka lënë shije të hidhur.
Nëse kampionati do të vendoset të rifillojë, atëherë Tirana nuk do të jetë vetëm me pikë para, por edhe nga ana fizike do të kryesojë. Verilindorët shpresojnë të arrijnë bardheblutë pasi janë shprehur se 9 pikë s’janë shumë.
Ndaj, drejtori Nexhipi kërkon që kushtet të jenë njësoj për të gjithë. Veç kësaj Kukësi do të vuajë edhe mungesën e disa lojtarëve që ende s’janë kthyer nga shtëpitë e tyre. Në momentin që do të vijnë në Shqipëri janë të detyruar t’i nënshtrohen karantinës 14 ditore.