Stërvitja e parë për takimin e fundit në grup që do të luhet në orën 21:00 të së dielës, për trajnerin De Biazi ka pasur disa probleme. Duke nisur nga gjendja e Memushajt deri te Ajeti e Kukeli, lojtarë që nuk janë në 100%-shin e tyre më të mirë për të qenë gati për sfidën e ndaj rumunëve. Sipas burimeve informative në Perros Guierc, aty ku ndodhen kuqezinjtë, stërvitja e sotme ka qenë e ndarë në dy grupe.
Në grupin e parë kanë qenë lojtarët që luajtën në sfidën kundër Francës për 90 minuta, të cilët u stërvitën vetëm në palestër dhe bënë ushtrime të lehta. Ndërsa për grupin e dytë, aty ku hyjnë lojtarët që nuk luajtën, ata morën ngarkesë më të madhe. Balaj, Roshi, Cikalleshi, Gashi, Kaçe, Basha e disa të tjerë patën vrapime dhe ushtrime me ritëm të lartë fizik.
Përpos tyre, lojtarët që shqetësuan stafin mjekësor dhe atë trajnues janë Arlind Ajeti e Burim Kukeli, por këtyre iu shtua edhe Ledjan Memushaj. I lodhur nga sfida e fundit me Francën, Memushaj nuk ishte në gjendje që të merrte ngarkesë fizike, ndërsa u stërvit vetëm për 30 minuta në praninë e fizioterapistëve. Sa i përket Ajetit dhe Kukelit, gjendja e tyre po vjen në përmirësim dhe nuk mund të bëjnë shqetësim për stafin për ditën e ndeshjes. Nesër do të shihet dhe forma e Memushajt, i cili mendohet se do të jetë gati për stërvitjen e fundit përpara takimit me Rumaninë.