
Ditën e djeshmë Christian Panucci ka shpallur listën e të grumbulluarve për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Në këtë listë ishte një emër i ri, Ardian Ismajli, i cili zgjodhi Shqipërinë në vend të Kosovës. Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit, me shiritin e kapitenit te Kosova U-21, u ndie i zhgënjyer pas lënies jashtë të Chalandes, në takimet e tetorit që dardanët do të zhvillonin ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe.
21-vjeçari duket se po bën gjëra të "frikshme" në Kroaci, pasi në tre ndeshjet e fundit të luajtura me Hajdukun, Ismajli ka qenë tre herë lojtari më i mirë i kësaj skuadre në fushën e lojës, ndërsa njëherë ka qenë edhe në formacionin e javës, më të mirë. Mos ndoshta, Kombëtarja po gjen një Lorik Cana të ri ? Kjo gjë mbetet për t'u parë vetëm në fushën e lojës.