Ish-mesfushori i Kombëtares Klodian Duro, përmes një postimi të radhës në rrjetin social “Facebook”, është shfaqur nostalgjik, teksa përmes videos, shfaq momente nga përjetimet e fitoreve dhe sukseseve.
Duro është “produkt” nga akademia e Elbasanit, ndërsa vijoi shkallën e “pjekjes” profesionale te Tirana, Vllaznia, Samsunpsor, Malatyspor, Rizespor, Partizani, Arminia Bielefeld, Omonia Nicosias, Apoel Limassol, LASK, e ku i “vari këpucët në goxhdë” te Tirana.
Në segmentin e 16 viteve karrierë, Duro fitoi 4 trofe, të 4-të me skuadrën e Tiranës, 3 Kupa dhe 1 Superkupën e Shqipërisë. Te Kombëtarja, ish-lojtari elbasanas regjistroi 77 ndeshje, e përkthyer me 6 gola dhe 2 asiste.
Në kalvarin profesional si futbollist, Duro i ka shënuar gol Manchester City-it, periudhë kur luante me Omonia Nicosias, sikurse ka luajtur kundër Ronaldinhos, kur ky i fundit ishte pjesë e Milanit apo karshi Cristiano Ronaldos me Shqipërinë.
Në spektrin menaxherial, pra si trajner, Duro ka drejtuar 7 skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, e përkthyer me Kupën e Shqipërisë në sezonin 2015-2016, triumf te Kukësi.
