Ndeshja me Poloninë sa vjen dhe po afron, ndërsa trajnerit Sylvinho i kanë ardhur njoftime të rëndësishme mbi lojtarët të cilët i ka në listë për t’i ftuar, në përballjen që shikohet me rëndësi tejet të lartë për një kualifikim të mundshëm në Kupën e Botës.
Bëhet fjalë për dy sulmuesit Rey Manaj dhe Mirlind Daku, të cilët kanë vendosur t’i shkaktojnë “dhimbje koke” trajnerit të Kombëtares me gjendjen e tyre fizike. Manaj u detyrua të lë fushën e lojës në sfidën e fituar të Sivasspor ndaj Umraniyespor. 29-vjeçari ndjeu një shqetësim në pjesën e sipërme të kofshës së majtë, por kjo nuk e pengoi atë që sakrifikojë duke u aktivizuar si titullar.
Megjithatë “guximi” për të provuar i shkaktoi dëmtimin, duke bërë që sulmuesi të braktisë ndeshjen që në minutën e 7-të, teksa gjendja e tij nuk duket aq premtuese, kur ende priten rezultatet e ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar dhe kohën e rikuperimit.
Shqetësuese mbetet dhe situata e Mirlind Dakut. 28-vjeçari i cili aktivizohet pë Rubin Kazan në Rusi është ende larg fushave pas dëmtimit të pësuar gjatë kampit stërvitor në dimër. Siç raportojnë dhe burimet brenda klubit, rikthimi i tij në gjendje optimale pritet pas ndeshjeve ndërkombëtare.
Më shpresëdhënëse duket në anën tjetër aktivizimi i Armando Brojës në Angli me Burnley. Futja e tij në pjesën e dytë në minutat e fundit në sfidën e mbyllur barazim pa gola përballë Bournemouth i kthen buzëqeshjen Sylvinhos për t’i zgjatur ftesën në udhëtimin e vështirë drejt Varshavës.
