
Ish-futbollisti i Ukrainës, Maksim Kaliniçenko, i cili tashmë mban rolin e analistit sportiv në një nga mediat ukrainase, ka folur për takimin e sotëm që Dinamo e Kievit do të luajë ndaj Skënderbeut në "Elbasan Arena" në orën 21:05.
Kaliniçenko është shprehur se, Dinamo mund të gjendet në vështirësi pasi nuk ka shumë lojtarë cilësorë në këtë ndeshje, nisur nga kjo, ai ka shtuar se, Skënderbeu është i detyruar të shënojë, duke shtuar ndër të tjera se takimi i sotëm vetëm barazim nuk do të përfundojë.
"Nuk është e vështirë të parashikohet kjo ndeshje. Dinamo sapo ka shkurtuar diferencën me Shakhtarin në kampionat dhe tani ka më shumë shpresa. Është në humor të mirë dhe besoj se në Shqipëri do të luajë shumë e qetë. Nuk e njoh Skënderbeun, që nga rezultatet duket se nuk luan as mirë dhe as keq. Dinamo mund të humbasë, pasi ka lënë shumë titullarë pushim. Skënderbeu është i detyruar të shënojë, por nga kjo gjë mund të përfitojë Dinamo. Në këtë ndeshje vetëm barazim besoj se nuk do të ketë", është shprehur Kaliniçenko për mediat ukrainase.