
Manchester United është skuadra e fundit që kualifikohet në fazën çerekfinale të FA Cup. "Djajtë e kuq" mposhtën në "Stamford Bridge" Chelsea 2-0.
E pas mbylljes së kësaj ndeshje, është hedhur edhe shorti për fazën pasardhëse, me goglat që kanë dhuruar përballje interesante. "Vendimet" e tyre kanë vendosur përballë Bersant Celinën me Manchester City. Pak ditë më parë, mesfushori i kombëtares kosovare kishte shprehur dëshirën që të ndeshet të paktën një herë me City-t në FA Cup, ku kërkon të udhëheqë skuadrën e tij Swansea në gjysëmfinalen e kompeticionit.
Ndërkohë në çiftet tjera spikat ajo mes Wolves-Manchester United, si dhe Watford-Crystal Palace dhe Millwall-Brighton. Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen ndërmjet datave 15 dhe 18 mars (nga e premtja deri të hënën).
Fituesit e fazës 1/4 të FA Cup do të përfitojnë nga 720.000 paundë (822.630 euro), pasi Federata Angleze e Futbollit i kishte dyfishuar fondet në fillim të këtij sezoni.