Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

IRONIA E FATIT/ "E treta e vërteta", sa shumë vuajtje për Ilir DAJËN

Shkruar nga NEWSPORT
IRONIA E FATIT/ "E treta e vërteta", sa shumë vuajtje

Ilir Daja në krye të Partizanit, ishte lajm i dalë prej kohësh dhe i konfirmuar vetëm para disa ditëve nga klubi i kuq. Trajneri i njohur kryeqytetas ka marrë përsipër të drejtojë 16 herë kampionët e vendit për edicionin e ardhshëm, për të arritur objektivat e paracaktuara. Mirëpo situata nuk është shumë e lehtë për 54-vjeçarin i cili vitet e fundit është hasur me vështirësi, jo në aspektin personal, por për shkak të problemeve të klubeve që ka drejtuar.

Te Flamurtari arriti të bënte një sezon fantastik, teksa për pak arriti në tabelën e klasifikimit një vend të që të çonte në Europë. 8 muaj pa paga, por diti si t'i motivonte të "tijtë" për të bërë të pabesueshmen në kampionatin shqiptar. Sezoni në Vlorë përfundoi e bashkë me të edhe aventura e tij në krye të kuqezinjve.

Zgjodhi të drejtonte në edicionin pasues Skënderbeun, skuadër që ishte dënuar nga UEFA për trukime. Vështirësitë ekonomike të drejtuesve bardhekuq shkurtuan buxhetin për të bërë afrimet e duhura. Ndaj sytë u drejtuan nga Akademia, ku u pikasën futbollistë që sot janë në radarin e klubeve të Superiores. Sezon fantastik edhe me korçarët, madje të gjithë e thonë hapur që vetëm një "arkitekt" si Daja arrin të bëjë, pa frikë mund të konsiderohet çudi.

Kjo merkato vere e çoi 54-vjeçarin te Partizani, skuadër me emër dhe objektiva të mëdha në elitën e futbollit shqiptar. Por, si për ironi të fatit edhe te kryeqytetasit ai gjen probleme. FIFA ka bllokuar merkaton e të kuqve dhe deri në një vendim të dytë, duhet të stërvisë lojtarët që ka në dispozicion dhe në skenarin më të keq, në rast të një përgjigje negative, të kthejë sytë nga skuadrat zinxhirë. Në klub janë optimistë dhe të gjithë njëzëri thonë se merkato do të zhbllokohet, është thjesht çështje formaliteti. Duke shpresuar në një përgjigje pozitive nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ku kryeqytetasit kanë apeluar vendimin e FIFA-s, s'mbetet gjë tjetër veçse Daja të shpresojë te e "treta e vërteta" që në këtë rast fati e çoi ta priste te Partizani. /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga