Partizani prej kohësh po kalon një periudhë plot oshilacione që kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës. Të kuqtë nga vendi i parë kanë zbritur në të tretin, ndërsa u eliminuan edhe nga Kupa. Edhe pse në klub nuk e kanë përdorur si justifikim, gjithsesi në njëfarë mënyrë, dëmtimet e shumta janë evidentuar thuajse rregullisht nga drejtori Abilaliaj dhe trajneri Shehi.
Tashmë mund të thuhet me plot gojë që edhe ky problem është kaluar. Lajmet e sotme nga infermieria sjellin festën në klub teksa të gjithë lojtarët përveç Altin Bytyçit janë të gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit.
Nga porta deri në majën e sulmit, trajneri Shehi ka alternativa luksi për të tentuar maksimumin e mundshëm. Hoxha - Qirko mund të jetë dyshja më e mirë e portierëve në 10-vjeçarin e fundit duke ofruar siguri dhe garanci në kuadrat.
Mbrojtja gjithashtu kompletohet me rikthimin e Marçelino Prekës që ka marrë vendin e titullarit krah Sotës. Mesfusha është plot kualitet, muskuj, teknikë dhe alternativa. Shehi ka një ‘mal’ me mesfushorë të karakteristikave të ndryshme, por të nivelit më të lartë për futbollin shqiptar. Adnard Mehmeti është i vetmi që ka ende disa shqetësime në kofshë dhe me rikthimin e tij në gjendje optimale, Shehi do të ketë 8 alternativa luksi.
Me rikthimin e plotë të Skukës dhe Kekos ditën e sotme, reparti i sulmit është thjeshtë i frikshëm. Dyshja i bashkohet të tjerëve si Cara, Mba e Bintsouka për të formuar një repart të mbipopulluar me sulmues të nivelit të lartë.
Kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit të rregullt dhe një grup i tillë pa mungesa në këtë fazë të sezonit, është një luks që garanton sukses për çdo ekip.