
Ekspertët e UEFA-s do të jenë të pranishëm në Shqipëri për të monituar disa nga ndeshjet e Superligës shqiptare, por edhe derbit. Incidenti i ndodhur dy ditë më parë në ndeshjen Shqipëri-Poloni ka bërë që UEFA të nisë në Shqipëri disa ekspertë që të ndihmojnë Federatën shqiptare të futbollit për organizimet e ndeshjeve të futbollit me shumë spektatorë.
Tifozët shqiptarë hodhën shishe dhe sende në fushë ndaj lojtarëve të Polonisë pas golit të shënuar dhe për këtë arsye gjyqtari Turpin ndërpreu për disa minuta sfidën që më pas nisi dhe u mbyll normalisht.
Një ngjarje e tillë ka "alarmuar" jo pak UEFA-n pasi në 25 maj të 2022 do të mbahet finalja e madhe e Conference League e për këtë arsye, institucioni më i lartë i futbollit në Europë do të dërgojë eskpertët për të monitoruar ndeshjet e kampionatit shqiptar. Derbi i kryeqyteti, Tirana-Partizani do të luhet pas jave në "Air Albania" dhe kjo do të jetë një tjetër "provë" për FSHF-në përsa i përketë organizimit të ndeshjeve me shumë tifozë.
"Federata Shqiptare e Futbollit ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm përsa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojmë në 25 maj 2022. Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjmë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje.
Ekspertët e UEFA-s do të jenë këtu për të ndjekur disa ndeshje të Abissnet Superiores dhe kryesisht derbit ku ka prani më të madhe tifozësh, për të strukturuar në mënyrë perfekte organizimin për të tilla ndeshje", lexohet në deklaratëne e FSHF-së për mediat.