
Trajneri Ilir Daja, në konferëncën e fundit për shtyp është shprehur i bindur për një rezultat pozitiv në Kukës, ndërkohë që ka theksuar se e tremb vetëm tereni që do të luhet ndeshja, në fushën sintetike të Kukësit. Për teknikun bardhekuq në këtë ndeshje luhet gjithçka për gjithçka.
“Është një ndeshje ku përballet vendi i parë me vendin e dytë. Duke qënë se ne jemi kampionët në fuqi do të kërkojmë që të përmbysim renditjen dhe të jemi ne që kryesojmë kampionatin në javën e fundit. Natyrisht që fitorja do të na shkonte më shumë përshtat dhe është ky rezultati që do të kërkojmë të marrim, por pa kaluar në aventurë.” Këto kanë qenë disa nga fjalët e djeshme të trajnerit të Skënderbeut, Ilir Daja, 24 orë përpara startit të ndeshjes së sotme. Në fakt, konferencën e fundit për shtyp Daja e ka dhënë pikërisht nga qyteti bregdetar përpara nisjes drejt Kukësit, ndërkohë që është shprehur me nota optimiste për këtë përballje të sotme.
-Daja, nesër në Kukës luhet ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Si e shikoni këtë përballje?
-Jam shumë dakord me ju qysh në momentin kur thoni se kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, pasi e tillë është si për ne por edhe për kundërshtarin. E kemi vlerësuar mjaft këtë takim dhe padyshim do të mundohemi të bëjmë më të mirën në fushë. Kemi përballë një ekip që ka bërë një kampionat mjaft të mirë dhe nuk e njeh humbjen në këtë sezon, çka do të tregojë më shumë për forcën e këtij ekipi. Kanë faktorin fushë, që është më e vogël se ambjentet e tjera sportive, por e liçensuar nga FSHF dhe në të tillë fushë do të thotë që kjo ndeshje kërkon një tjetër ritëm loje.
-Po Skënderbeu si vjen në këtë takim?
-Mund të them që ne jemi në formë, kemi nëntë fitore radhazi, dy në kupë dhe shtatë në kampionat dhe gjendja psikologjike është mjaft e mirë. Na është rikthyer Salihi që me shumë mundësi do të jetë gati për këtë takim dhe përveç dëmtimeve të Lilajt, Malajt dhe Abazit që kanë munguar gjatë nuk kemi probleme të tjera. Kjo sigurisht që është diçka pozitive për ne.
-Për të kaluar sërish tek kundërshtari. Kukësi nuk ka asnjë humbje. Është vërtet kaq e vështirë ta mundësh?
-Nuk besoj se është i pamposhtur. Ka bërë një sezon të mirë dhe normalisht që kjo është pozitive për ta. Unë kam vetëm një preçedent me Kukësin në drejtimin e Skënderbeut dhe mund të them se kemi qënë pranë fitores, por jemi ndëshkuar në fund, kjo në barazimin 1-1 në fazën e tretë. Personalisht, sikundër e thashë është një merritë që janë pa humbje, por unë mendoj se është më mirë një fitore, një humbje, sesa dy barazime.
-Nën drejtimin e Tiranës e keni mundur Kukësin në fushën e vet. Mendoni se mund t’ia dilni sërish por tashmë me Skënderbeun?
-Është e vërtetë, por duhet të them se në një moment kur një ekip fiton apo edhe humb merita dhe përgjegjësia është e stafit teknik dhe lojtarëve, e ndarë në mënyrë proporcionale. Ne tashmë duhet të shohim rrugën tonë pasi jemi në 180 minutat e fundit të sezonit dhe gjithçka që bëjmë duhet ta bëjmë me përgjegjësi. Padiskutim që jam i bindur që do ja dalim.
-Kjo do të thotë se Skënderbeu do të shkojë për 3 pikë në Kukës si rezultati i vetëm?
-Është një ndeshje ku përballet vendi i parë me vendin e dytë. Duke qënë se ne jemi kampionët në fuqi do të kërkojmë që të përmbysim renditjen dhe të jemi ne që kryesojmë kampionatin në javën e fundit. Natyrisht që fitorja do të na shkonte më shumë përshtat dhe është ky rezultati që do të kërkojmë të marrim, por pa kaluar në aventurë. E rëndësishme është që të ruajmë balancat si në sulm edhe në mbrojtje, për të mos rezikuar shumë.
Marrë nga kfskenderbeu.al