
Gjergji Stefa dhe Nevil Dede ishin të ftuar mbrëmë në emisionin "Skaner" të Gerti Çarçanit. Gazetari i njohur sportiv ishte mjaft aktiv për gjatë gjithë transmetimit duke folur me statistika ose burime të sigurta për ngjarje të ndryshme. Një nga temat që u diskutua gjatë ishte forma e mirë që po kalon skuadra e Partizanit.
Stefa e detyroi Deden t'i jepte meritat Ilir Dajës për këtë skuadër që këtë sezon po shkëlqen me mënyrën se si luan në fushë. Fillimisht ish-trajneri i Tiranës deklaroi: "Para se të fillonte ky edicion futbollistik me aq njohuri sa kam unë dhe me një CV si trajner, Partizani ishte krijuar për titullin kampion.
Nuk dua të përmend emra por janë 6-7 lojtarë që kanë marrë trofeun dy vite më parë". Kaq mjaftoi dhe reagoi menjëherë Stefa: "Ore më kanë lënë veshët mua apo çfarë? Ju keni thënë që Partizani do ta ketë të vështirë prej alternativave të pakta". Dede foli sërish duke anashkaluar fillimisht punën e bërë nga stafi teknik i Partizanit.
Pikërisht me këtë fakt e kapi ngusht gazetari duke thënë: "Dale, dale pak. Meqenëse më the më lart që 6-7 lojtarë janë ata të titullit kampion, ku ishin vjet ata? Në çfarë vendi doli Partizani?" Këtu ish-trajneri i Tiranës u dorëzua dhe tha: "Padyshim që Ilir Daja ka meritën e madhe bashkë me stafin e tij".