
Dinamo do të luajë nesër sfidën e javës së 6-të ndaj Skënderbeut në transfertë. Pas humbjes humbjes së thellë 6-3 nga Vllaznia në "Loro Boriçi", blutë e kryeqytetit kërkojnë të rikthehen te fitorja dhe në letër janë favorit kundër korçarëve. Sot në konferencën për shtyp trajneri Shkëmbi vlerësoi kundërshtarin, ndërsa theksoi se humbja e pësuar nga Vllaznia nuk i ka ndryshuar objektivat e skuadrës.
Sa e vështirë është të motivosh skuadrën pas një humbjeje si ajo ndaj Vllaznisë?
Ishte një humbje që nuk e prisnim, me shumë gola, por për pjesën e motivimit nuk duhej të ishte dhe të jetë problem, pasi ne kemi një grup që nuk mund t'ia lejojë vetes të gabojë dy herë rresht. Do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim maksimumin, Skënderbeu vërtetë është në vendet e fundit, pro në fushën e tij dhe me kundërshtarë të fortë, ka treguar se mund të hapë probleme. Megjithatë kemi marrë masat për të bërë maksimumin.
Si është gjendja e skuadrës para kësaj transferte?
Vazhdojmë të kemi disa probleme dëmtimesh dhe deri nesër do të shohim si do jetë gjendja e dy lojtarëve që kanë probleme, ndaj para ndeshjes do të vendosim për formacionin. Por besoj se nuk do të kemi ndryshime shumë nga ai i këtyre javëve.
Çfarë nuk shkoi ndaj Vllaznisë?
Ne e nisëm mirë ndeshjen dhe gjetëm të parët avantazhin, por më pas ata na barazuan me goditje standarde dhe gjërat nuk shkuan mirë,. Më vjen mirë që rikthehet Sofranac, një mbrojtës shumë i rëndësishëm në zonë dhe në këtë mënyrë të gjithë lojtarët do të rikthehen në rolet e tyre përkatëse. Kjo është pjesa më e rëndësishme për mua si trajner.
A ndryshojnë objektivat e Dinamos pas humbjes me Vllazninë?
Ne ishim duke bërë shumë mirë deri para ndeshjes me Vllazninë, pasi kishim luajtur mirë ndaj të gjithë rivalëve dhe nuk kishim humbur asnjë ndeshje. Jam kundër asaj që të ndryshojmë objektivat pas një humbjeje, aq më tepër që jemi vetëm në javën e pestë dhe ka ende shumë garë përpara.
Skuadra kalon e para në avantazh, por nuk arrin ta ruajë...
Më vjen shumë keq që ne në shumicën e rasteve e nisim ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh, por më pas e pësojmë dhe kemi lënë shumë pikë kështu. Kam folur shumë me futbollistët dhe besoj që do të arrijmë të rikuperojmë në këtë aspekt.