
Mbrojtësi dhe kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj, foli për disa tema të ndryshme gjatë prononcimit në konferencë për shtyp para miqësore ndaj Estonisë, që do të zhvillohet të hënën në “Air Albania”. Dueli nis në orën 18:00 dhe do të jetë një sfidë miqësore.
Kapiteni i kombëtares komentoi gjatë humbjen 1-2 me Izraelin në ndeshjen e fundit të kuqezinjve, si dhe foli edhe për të ardhmen e tij, pas disa zërave që e largonin nga Lazio. “Kemi bërë gabime taktike, nuk duhet të jetë më e përsëritshme. Jemi profesionistë, duhet të kemi pak më shumë personalitet në fushë", tha fillimisht Hysaj.
Më pas, mbrojtësi shtoi:" Ishim përgatitur që do merrnim kundërsulme nga Izraeli. E kishim ndeshjen në dorë, e humbëm për gabime taktike, nisur nga unë dhe nga skuadra.
Ta harrojmë këtë ndeshje, të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Unë jam profesionist, kjo është puna ime, duhet të jem gati në çdo moment. Kanë ardhur lojtarë që trajneri do t’i provojë këtë ndeshje. Gjë e mirë, pasi të rinjtë po stërviten mirë.
E ardhmja? Kam katër vite kontratë, do vazhdoj te Lazio, shpresoj të jem më mirë se vitin e kaluar”, përfundoi Hysaj.