
Ka ngjallur debat keqinterpretimi i deklaratës së presidentit të Tiranës Refik Halili lidhur me ndërhyrjet në formacionin e Tiranës në ndeshje. E thënë me ironi nga presidenti Halili se ai do të ndërhyjë sa herë t'i dojë qejfi, në një kuptim të lexueshëm për këdo që ndjek futbollin, deklarata dhe komentet kthyen debatin në një rrjedhë tjetër: A ndërhyn apo jo presidenti Halili në formacion? Thënë më troç, Nevil Dede, trajneri që u largua 15 minuta para sfidës me Laçin nga pankina bardheblu, deklaroi prerë e qartë se Halili kurrë nuk i ka ndërhyrë në formacion, dhe ky ishte rasti i parë që presidenti kishte kërkuar të aktivizohej një lojtar më me eksperiencë, karshi një lojtari të Akademisë bardheblu.
Nuk është e zorshme për asnjë gazetar të pyesë trajnerët e Tiranës në vite dhe t'u kërkojë atyre nëse Halili ka bërë ndonjëherë formacionin e ndeshjeve. Të pyesin Ilir Dajën apo Ardi Memën, Jul Ahmatajn apo Emanuel Egbonë, Mirel Josën apo edhe Gugash Maganin. Trajnerët janë aty, kanë gojë të flasin e të tregojnë nëse formacioni është bërë sipas udhëzimeve të presidentit, apo nëse ata e kanë bërë formacionin sic e kanë dashur. Tirana është një klub që sic duket prej vitesh nuk noton dot në ujra të qeta. Edhe sezonin e kaluar, kur Tirana u shpall kampion nuk u shpëtoi debateve, polemikave, vërejtjeve, konflikteve, zënkave...sepse e tillë është Tirana.
Te Tirana investohen shumë para, dhe kushdo që gjykon nga jashtë, asnjëherë nuk e di problematikën e brendshme dhe si menaxhohet situata, qoftë e personelit, qoftë ajo financiare. Te Tirana, shumëkush fut shpesh shkopinj nën rrota për të prishur gjërat, edhe kur ato shkojnë mirë. Dhe debati vjen nga vjen e rrotullohet te futbollisti Grent Halili, më i paragjykuari në historinë e këtyre viteve me Tiranën. Në fund fare, Halili junior, është një futbollist si çdo futbollist tjetër i superligës: ndoshta nuk është më i miri, por është shumë herë më i mirë krahasuar me shumë të tjerë që vrapojnë e luftojnë në pozicionin e tij. Ka ndeshje shumë të mira, ka ndeshje që të prishin humorin.
Por, përpara se të gjykohet Grenti si djali i presidentit, duhet të shikohen të dhënat tenike të tij, e sidomos për analistët në studio. Sa vrapon Grenti? Sa i saktë është në pasime? Çfarë performance dhe saktësie ka në fushë? Ta gjykosh Grentin se është djali i presidentit, është e ulët, aspak e volitshme dhe e rëndë për cdo komentues që ka një fëmijë në shtëpi me ëndrrën për tu bërë futbollist. A ka analizuar kush performancën e ndonjë futbollisti tjetër te Tirana apo në cdo ekip më shumë sesa kanë folur, sharë, fyer Grent Halilin? Ndonjëherë madje duhet thënë se është e guximshme nga ana e Grentit që gjen forca e fuqi për të luajtur e vrapuar, përkundrejt gjithë fjalëve të thëna për të dhe paragjykimeve. Dhe për një djalosh 24 vjecar si ai, ndoshta edhe prej këtyre paragjykimeve dukshëm të njëanshme dhe të pabaza, nuk del ndonjëherë në formën e tij më të mirë.
A mund të thotë kush se Dede iku se nuk futi në formacion Grent Halilin? Këtë nuk e thotë as Nevil Dede vetë. A i tha kush Emanuel Egbosë se duhet të ikte meqë nuk futi Grentin në formacion? Eshtë fakt, se në kohën e Egbosë, Kale ishte në formën e tij optimale për të luajtur në atë pozicion; ashtu sikurse është fakt, se me operacionin e Kalesë, Grenti, i dyti pas tij. Ndaj, kushdo që analizon, komenton, vlerëson, debaton e shikon, mirë është ta bëjë këtë mbi bazën e fakteve, jo mbi bazën e thashethemeve; kushdo që komenton, vlerëson, debaton e analizon ta bëjë këtë mbi bazën e deklaratave, jo me hamendjet e tavolinave; kushdo që komenton, vlerëson, debaton e analizon ta bëjë këtë pa fyerje, duke ruajtur integritetin e dinjitetin e çdokujt; debati ka vlerë kur zhvillohet mbi baza të forta të së vërtetës dhe jo me inatet personale të gjithsecilit që e bëjnë atë (debatin) të pavlefshëm dhe që shumëshpesh janë bërë me dashakeqësi apo të sponsorizuar nga interesa meskine.