Klubi Tirana ka organizuar para pak çastesh në mesditë një konferencë për shtyp, ku presidenti Refik Halili ka konfirmuar zyrtarisht trajnerin Ilir Daja dhe të dy bashkë kanë folur për përgatitjet e skuadrës dhe objektivat për ta kthyer atë në majat e futbollit shqiptar. Gjatë fjalës së tij, presidenti Halili ka bërë edhe 3 premtime të mëdha, që janë një merkato e fuqishme, investime në infrastrukturë dhe riorganizim të administratës së klubit.
Ja fjala e plotë e presidentit Halili: “Përshëndes gjithë tifozët e Tiranës dhe uroj që të gjithë bashkë të kemi sukses në sezonin e ri. Jemi të detyruar të bëjmë përgatitjet për përfaqësimin në Kupat e Europës dhe boshtin e ekipit e kemi, por kuptohet që duhet të bëjmë përforcime. Merkatoja do të bëhet e ndarë në dy faza. Tani që nuk kemi shumë kohë, duhet të bëjmë ndonjë afrim të shpejtë, dhe më pas për sezonin e ri, që është periudha pas Kupave të Europës, ku do të kemi më shumë kohë. Me trajnerin Ilir Daja kemi bërë një pakt, që kishte të bënte me Kupat e Europës. Gjatë kësaj kohe kemi parë punën që ka bërë profesori dhe kemi rënë dakord, që puna të vazhdojë për dy vite dhe jo për një vit. Gjatë gjithë kësaj kohe po punojmë. I kemi gjërat të qarta dhe bisedimet me lojtarët e sezonit që shkoi do të jenë të shpejta. Secila palë do të ketë kushtet e veta dhe shpresojmë të biem dakord. E rëndësishme është që stërvitja të fillojë dhe të jemi gati sa më shpejt. Nëse marrim pjesë në Kupat e Europës, duhet të shpejtojmë, kurse për sezonin e ardhshëm do të flasim, sepse kemi kohë. Duhet shumë kujdes në merkato për të bërë përforcime të fuqishme. Ju premtoj tifozëve të Tiranës se shumë shpejt do të bëjmë merkato të fuqishme. I uroj seksese Elis Bakajt atje ku ka shkuar, ndërkohë që prurjet do të jenë më të shumta se sezonet e kaluara. Do të fokusohemi edhe te grupmoshat, kështu që tifozët nuk duhet të na paragjykojnë për këtë. Më pas do të bëjmë edhe një analizë të përgjithshme , sepse nga koha që unë jam në krye të Tiranës kemi dështuar. Do të themi se çfarë do të bëjmë për investimet në infrastrukturë, do të flasim për borxhet dhe për organizimin e klubit, që janë çështje shumë të rëndësishme. Duam të shkojmë aty ku i takon klubit të Tiranës. Për këtë duhet të bëjmë sakrifica dhe blerje shumë cilësore.”
[caption id="attachment_2966" align="aligncenter" width="696"] Trajneri i konfirmuar i Tiranës, Ilir Daja[/caption]
DAJA – Më pas ka folur edhe trajneri Daja, i cili ka falënderuar drejtuesit për besimin dhe ka premtuar maksimumin. Ai ka thënë se për në Europë mund të ketë huazim lojtarësh nga skuadra të tjera, ngaqë koha është e shkurtër: “Falënderoj së pari presidentit Halili dhe drejtuesit për besimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit. Dihet se kreditet e një trajneri janë maksimale, kur drejton ekipin më të titulluar të vendit. Një element tjetër është edhe suporti, që më kanë dhë pjesa dërrmuese e tifozëve të Tiranës në rrjetet sociale. Për arsye që dihen, nuk u arrit objektivi sezonin që shkoi, por në të ardhmen do të bëjmë maksimumin. Çelësi i suksesit do të jetë bashkëpunimi mes palëve për të arritur objektivat. Sigurisht që kemi ditë që bashkëpunojmë me presidentin dhe objektivi i parë ishte ruajtja e grupit. Një ekip si Tirana, me objekiva madhorë, nuk mund të ndërtohet nga e para. Kemi parë pikat, ku duhet të përforcohemi dhe duhet të shtojmë konkurrencën. Merkaton e kemi ndarë në dy etapa, ku e para është nevoja emergjente për ndonjë lojtar, qoftë edhe në formë huazimi, për Ligën e Europës. Do të bëjmë maksimumin në këtë kohë të shkurtër. Meqenëse situata është e tillë, mund të huazojmë ndonjë lojtar. Etapa e dytë dhe shumë e rëndësishme ka të bëjë me objektivin e sezonit të ri. Nuk kemi pse të nxitohemi. Dihet që pritshmëritë janë të mëdha, por pa ditur cili do të jetë grupi, është e kotë të flasim për objektiva realë, është absurde”, - tha trajneri Daja në konferencën e sotme.