Partizani është gati të ndeshet me hungarezët e Ferencvarosh për të siguruar kalimin në raundin e tretë të Champions League. Të kuqtë i patën të gjitha mundësitë që të shënonin dhe golin e dytë në sfidën e shkuar, ku mund të kishin siguruar një hap të sigurt drejt të ardhmes në Champions League, por Fili humbi rastin dhe ndeshja përfundoi 1-1.
Kjo i ka mbetur në mendje gramshiotit Lorenc Trashi, i cili thotë: "Po të kishim shënuar edhe golin e dytë, ndeshja do të kishte përfunduar 2-0 dhe ne do të ishim tashmë më të sigurt për kalimin në fazën tjetër".
Në vazhdim ai shprehet se Partizani mund ta kalojë këtë raund dhe tregon pikat e dobëta të Ferencvarosh, aty ku bazohen të kuqtë se do të zënë "mat" hungarezët. "Do të shohim ndeshjen e ardhshme. Shpresojmë te rezultat pozitiv. Kundërshtari kishte probleme në mbrojtje dhe ne do të shfrytëzojmë problemet e kundërshtarit në këtë aspekt, duke bërë maksimumin që të shënojmë dhe të kalojmë në raundin tjetër".
Disa vite më parë Ferencvarosh është ndeshur me Tiranën, por Trashi thotë se Partizani nuk do të ndjekë shembullin e skuadrës tjetër kryeqytetase, por do të bëjë më të mirën, pasi shanset janë të barabarta në takimin e kthimit. "Nuk është puna se ne nuk mund të ndjekim shembullin e Tiranës, në futboll çdo gjë është e mundur. Ne do të provojmë shanset tona, do luajmë futboll. Shanset janë 50 me 50 edhe pse ata janë në shtëpinë e vet. Ne do të bëjmë llogaritë tona do luajmë me pak kujdes për të marrë kualifikimin".
I pyetur për raundin e tretë, ku Partizani mund të ndeshet me Red Bull Salzburg, Lorenc Trashi përgjigjet se "demat" po mendojnë vetëm për sfidën e së mërkurës, pasi ajo është primare. "Ne po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e ardhshme në Hungari. Sa për dy sulmuesit që na janë bashkuar, ata nuk janë ambientuar se kanë pak kohë këtu. Shpresoj që të ambientohen sa më shpejtë të na ndihmojnë. Shpresojmë te kualifikimit, jemi të fokusuar 100%".