Arinaldo Rrapaj ka zhvilluar një sezon fantastik me skuadrën e Partizanit. Mesfushori vlonjat është shndërruar në pikë referimi në kampin e kuq duke qenë më i rëndësishmi në këtë pozicion te 16 herë kampionët e Shqipërisë. Shpejtësia në mendime dhe në lëvizje e kanë bërë atë një nga futbollistët kryesorë të këtij klubi.
Për të ka pasur interes nga Europa, megjithatë drejtuesit vendosën që ta mbanin deri në fund të këtij sezoni. Ai është aktivizuar në 31 ndeshje, ku ka arritur të shënojë 3 gola dhe 5 asiste. Rrjeta e tundur dje me Vllazninë, padyshim që mund të sjellë frytet e veta në merkaton e verës.
Mënyra e ekzekutimit dhe saktësia me të cilën e studion aksionin padyshim kanë bërë që Rrapaj të shohë larg Shqipërisë për sezonin e ri. Megjithatë për këtë duhet pritur një ofertë tunduese në tryezë. Presidenti Gaz Demi ka treguar ndër vite se nuk është bërë asnjëherë pengesë për një të ardhme më të mirë të lojtarëve të klubit të tij.