Nga Emanuel Loci
Akademia e Partizanit ka qenë ndër vite nga më të shquarat në futbollin shqiptar. Lojtarë me peshë kanë dalë nga moshat e 17 herë kampionëve të vendit dhe një prej tyre është Genc Tomori. Rast i veçantë ai i Tomorit, pasi i ka kaluar të gjitha dekadat te klubi Partizani.
Prej 6 vitesh në rolin e drejtuesit të Akademisë së Partizanit, profesor Genci flet për ecurinë deri më sot, përse një i ri duhet t’ja besojë Partizanit rrugëtimin e tij dhe shumë të tjera.
– Si ka qenë ecuria në Akademinë e Partizanit gjatë këtyre viteve?
Vështirësitë kanë qenë të mëdha sepse Partizani iku nga Klubi dhe gjithmonë kanë qenë problem i parë fushat. Partizani ka një prurje shumë të madhe, ka interesim nga gjithë Shqipëria për të ardhur te Akademia e Partizanit. Nëse ekipet e tjera kanë interes nga fëmijët e qyteti që përfaqësojnë, ne marrim nga gjithë Shqipëria që kërkojnë të vijnë te Partizani. Nga vjet dhe ky sezon që fillon, Partizani është më i kompletuar, si në organizim, si në trajnim. Stafet e trajnerëve janë të plotësuar të gjithë. Jemi më të organizuar se kurrë me të gjitha ekipet. Marrim pjesë me të gjithë grupmoshat në ligën profesioniste, që fillon nga U13 deri te U19 dhe U21. Jemi nga të paktat ekipe që i kemi të gjithë në Superligën e moshave. Ne tani kemi vetëm një fushë dhe këtu jemi të shpërndarë të gjithë. Presim dy fushat e tjera dhe pastaj mund të flasim për një Akademi moderne, shumë funksionale dhe nga më të mirat në Shqipëri. Pavarësisht fushës, me çfarë kemi qenë, jemi shumë mirë me të gjitha grupmoshat. Jemi nga më të organizuarit në kuptimin e Akademisë dhe si funksionon klubi. Them me të gjithë stafin. Kemi mbi 20 persona që punojnë për Akademinë, me “scout”, menaxherë dhe sistemi i mjekësisë që janë të gjithë në funksion të Akademisë. Vitin tjetër bëhet dhe grupmosha 18 vjeç, për të plotësuar sistemin e UEFA-s që duhet ta ketë çdo klub profesionist.
– Partizani po ecën nën ritme të mira në elitën e futbollit shqiptar. A mendoni se dhe zhvillimi i grupmoshave është në rrugën e duhur apo çfarë i mungon futbollit vendas?
Zhvillimi i Akademisë është në rrugën e duhur. Për ekipin e parë, duhet parë më shumë nga Akademia. Kur kam luajtur unë kanë qenë dy lojtarë nga Akademia. Duhet që të merren shumë lojtarë nga moshat, një ose dy të jenë në ekipin e parë. Të aktivizohen dhe të rriten talentet që janë këtu. Do të jetë mirë dhe për klubet dhe për ekipet kombëtare. Sa më shumë ekipe të talentuara të ketë dhe Kombëtarja e ka më mirë. Mos harrojmë që futbolli është bërë europian, ndërsa në kohën time nuk mund të luanim jashtë. Tani çdokush është i lirë të luajë dhe jashtë. Është konkurrenca më e fortë. Me ngritjen e futbollit shqiptar, këtu kanë ardhur lojtarë italian, kroat, serb, grek dhe nga Afrika. Përveç ekipit të parë, kanë ardhur dhe shumë lojtarë për t’u provuar nga moshat. Futbolli është më i vështirë. Është statistikë që gati 100 lojtarë që luajnë në Superligë janë të huaj. Konkurrenca e Akademive është shumë e vështirë dhe pse Partizani ka nxjerrë shumë lojtarë prej aty.
– Partizani pati një skuadër nga moshat, që u shpall kampion sezonin 2022/23. Çfarë mund të thoni për suksesin e U14-ës sezonin e kaluar, të cilët këtë sezon përfaqësojnë U15-ën?
Padiskutim ishte sukses. Një sukses që merret në bazë të Akademisë. Qëllimi im kryesor është që të shoh lojtarë të mirë, që afrohen sa më tepër te ekipi i parë. Sukses që dolëm me 14 vjeçarët më të mirë të Shqipërisë, dhe me U15 dolëm në vendin e dytë, me U17 në vendin e katërt. Partizani ishte te ekipet elitë. Synimi është përveç majave, ndërgjegjësimi i futbollistëve, rritja e të vegjëlve që të arrijnë te ekipi i parë. Futbolli i moshave të Akademisë është dhe garë, siç del ekipi i të rriturve nga kategoria ashtu janë dhe ekipet e gjithë moshave. Partizanit i takon që të rrijë te ekipet më të mira, siç luan në Superiore. Ky sukses i skuadrës U14 ishte dhe organizimi i klubit, që erdhën të gjitha ekipet për të bërë stërvitje në Kompleksin Partizani. Tani jemi të gjithë të përfshirë.
– Konkurrenca është e madhe në Shqipëri, ku të gjithë akademitë presin me mijëra fëmijë çdo vit. Përse një fëmijë duhet të zgjedhë Partizanin për t’u formuar?
Për mua e para është disiplina, edukimi i fëmijëve dhe mbarëvajtja e Akademisë sepse nuk bëhen të gjithë lojtarë. Të paktën bëhen njerëz të mirë, me kulturë. Kur të thonë kanë qenë te klubi Partizani, thonë që nuk ziheshin njerëzit, nuk merreshin me fjalë. Pra disiplina është kryesore dhe ngrohtësia që u japim fëmijëve bashkë me rregullat. Po të shohim dhe ato që kanë dalë futbollistë kanë ndjekur këtë rrugë. Këtu marrin formim, njerëz të mirë të mos merren me vese si droga dhe alkooli. Futbolli është dhe edukim sepse një ekip ka disiplinë individuale dhe kolektive. Dhe te trajnerët insistoj që të mos ketë asnjë problem të vogël me lojtarët. Ato të ndjehen si vëllezër me njëri-tjetrin.
– Çfarë i mungon Akademisë së Partizanit?
Jemi shumë më mirë seç kemi qenë. Për të arritur një stad akoma më të lartë, siç janë të gjitha akademitë e vendeve europiane duhen terrenet sportive. Partizani dëshiron që dhe në Ballkan të zejë vendin e tij sepse si emër e ka që është një ekip legjendar nga Shqipëria. Përmenda terrenet sportive, që të bëhet një kompleks modern me të gjitha. Mos harrojmë që një Akademi moderne duhet të ketë komplet fushat e saj, dhomat e zhveshjes, dushet, kabinetin mjekësor. Janë shumë gjëra që një Akademi moderne duhet t’i ketë. Ne dalëngadalë them që do i arrijmë të gjitha. Të jemi ne të parët në Shqipëri që të japim një shembull.
– Dhe pse nuk është i përfunduar, tashmë të gjithë moshat stërviten te Kompleksi Partizani. A e ka ndihmuar ndërtimi tij zhvillimin e moshave të Partizanit?
Padyshim që po. Mos të harrojmë ku ishim, në 4-5 komplekse të tjerë me qira. Ishin të shpërndara mbi 5-6 ekipe, që dhe nuk mund të kontrolloheshin sepse ishin në çdo kënd të Tiranës. Tani jemi të gjithë në Kompleksin Partizani dhe më të organizuar se kurrë si Akademi. Ka sërish vështirësi, por mendoj se do bëhen dhe dy fushat e tjera këtu. Ne tani kemi gati 170 veta. Prurjet që kemi në verë dhe me fushat që do bëhen, them se do jenë mbi 500 fëmijë. Bëjmë shumë seleksionime që të nxjerrim 22 lojtarët. Kur të kemi fushat, kjo Akademi do funksionojë dhe me 500 fëmijë.
– Te Partizani keni pritur dhe përcjellë shumë. Kush iu ka lënë më shumë mbresa nga të rinjtë?
Kanë dalë shumë futbollistë. Një që Partizani e kishte dhe si simbol ishte Jurgen Bardhi. Kanë ardhur shumë te Partizani që kanë dalë nga Akademia. Bardhi ka qenë në këto vitet e fundit, që ka dhënë më shumë për Partizanin por dhe ka marrë. Tani po luan në Turqi.
– Jo vetëm Bardhi, por dhe të tjerë kanë përfaqësuar Partizanin e elitës. Më përmendi disa emra, që së fundmi kanë qenë pjesë e grupmoshave dhe janë promovuar te ekipi i parë.
Paulo Buxhelaj nga moshat është tashmë pjesë e ekipit të parë. Ka dhe mjaft të tjerë ku po përmend Henri Zunën. Por kemi pasur dhe lojtarë si Kodra, Çela që luajnë me skuadra të tjera në Shqipëri. Po ashtu kemi huazuar në skuadra të ndryshme, që të mbeten kontigjent i Partizanit.
– Nëse spikat te Partizani i moshave ka shumë gjasa të jesh në sytë e Kombëtares. Cilët lojtarë i janë bashkuar moshave të Kombëtares?
Janë shumë për t’u përmendur. Dhe te U19 apo U21 kemi, që janë pjesë në vazhdimësi. Synojmë që të kemi lojtarë nga Akademia që prekin Kombëtaren e madhe dhe pse është shumë e vështirë. Nëse futesh te ekipi i parë i Partizanit është si të kesh kapur Kombëtaren.
– Çdo i ri do e kishte më të vështirë rrugën e tij, nëse nga pas nuk do kishte një trajner të zotin. Kush është njëri që do e evidentonit si njeriun zbulues të të rinjve?
Shumë trajnerë kanë ndihmuar sepse puna nuk bëhet vetëm. Te Partizani kanë lëvizur mjaft trajnerë, si ish-lojtarë të Partizanit, ashtu dhe të jashtëm që kanë ardhur. Ndjej respekt për të gjithë sepse kanë dhënë një kontribut për Akademinë. Nuk dua që të jap emër sepse puna nuk bëhet vetëm. Përmenda më sipër që jemi rreth 20 veta që kontribuojmë te grupmoshat e Partizanit dhe të gjithë kanë atë vlerën e vet, që japin për të nxjerrë lojtarë te ekipi i parë. Të gjithë e kemi atë kënaqësi që një lojtar nga Akademia të luajë për Partizanin.
– Si ka ndryshuar promovimi i talenteve përgjatë viteve të fundit?
Them se ka një zhvillim më të mirë. Dhe nga grupmoshat kanë dalë shumë lojtarë, si në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. 80 përqind e Kategorisë së Parë janë lojtarë të gjithë Akademive që janë. Mos harrojmë që dhe Superliga ka kthyer sytë te Kategoria e Parë. Partizani ka ditur të promovojë dhe ka pasur kontigjentin më të mirë sepse ka dërguar më shumë lojtarë në të dyja kategoritë kryesore të vendit.
– Keni parë shumë fëmijë të talentuar, që më pas ndoshta dhe nuk kanë arritur të nxjerrin potencialin e tyre. Pse ndodh kjo gjë?
Nuk e heq që mund të jetë dhe dobësi e punës tonë, por shumica e rasteve është ndikimi në familje. Për shumë lojtarë familja bëhet pengesë. Çdokush që sjell një fëmijë, duhet t’ja besojë klubit dhe trajnerit. Këtu vjen dy orë në stërvitje, ndërsa në familje është gjithë ditën. Shoh që shumica e lojtarëve që kanë pasur besimin dhe ndikimin nga klubi kanë ecur shumë më tepër se ato që kanë pasur ndikimin nga familja apo shoqëria. U them prindërve të besojnë te klubi që ka interes të nxjerrë lojtarë. Fëmijët janë më të çiltër dhe e dinë atë që luan më mirë, kurse prindi e do gjithmonë të jetë i pari.
– Çfarë duhet të presim nga ekipi U15, por dhe moshat e tjera të Partizanit këtë sezon?
Ekipi U15 ka një përbërje shumë të mirë. Janë mbi 7-8 lojtarë që kanë të dhëna shumë të mira për t’u bërë futbollistë. Është një kohë e gjatë, por janë një grup shumë i mirë. Ka dhe në përbërje lojtarë të ekipit kombëtar. Shpresoj që ato të shkojnë deri në fund sepse cilësitë nuk u mungojnë. Ne synojmë që të nxjerrim sa më tepër lojtarë, pastaj dalja kampion është çështje e dytë. Dhe të dalësh kampion të rrit individualisht por edhe grupin, që nxjerr lojtarin të bëhet më i mirë.
– Me shumë gjasa pas një viti do shohim kontigjent tre herë më të madh që përfaqëson Partizanin. Mesazhi juaj për të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrën e futbollit përmes Partizanit.
Kushdo që vjen te Partizani duhet të dashurojë fanellën. Po nuk e dashurove fanellën është shumë e vështirë. Në kohën kur luaja unë futboll ishim të pakët që lëviznim sepse ku e fillonim e mbaronim, por tani futbolli kështu është bërë që mund të merren lojtarë nga bota apo klubet e tjera. Gjithmonë duhet ta dashurosh fanellën që të japësh maksimumin. Mua më ka qëlluar që të jem nga të paktët që ka mbajtur veshur këtë fanellë dhe deri tani.