Vllaznia dhe Laçi do të luajnë një tjetër “finale” për Europën. Shkodranët do të kërkojnë që në “Loro Boriçi” të dalin me 3 pikët, pasi synojnë të “blindojnë” vendin e 4-të, pozicion që të dërgon në Europë.
Në konferencën për shtyp, trajneri Goce Sedlovski ka kërkuar që lojtarët e tij të bëjnë maksimumin në dy sfidat e mbetura dhe të mos mendojnë për kundërshtarët.
“Kam folur me lojtarët, ata janë shumë pozitiv dhe shpresoj që të bëjnë atë çfarë duhet bërë dhe ta fitojmë këtë ndeshje. Ne duhet të shohim vetëm veten tonë, ashtu siç bëjnë planet e tyre edhe kundërshtarët tonë.
Teuta luan me Egnatian por unë u kam thënë lojtarëve të mi që të mos ndikohen nga fjalët që qarkullojnë. Të jenë të fokusuar vetëm tek sfida jonë ndaj Laçit. Nuk duhet t’i shohim fare se çfarë bëjnë rivalët tanë”, u shpreh Sedloski.
Theksojmë se sfida mes Vllaznisë dhe Laçit do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 16:00.