Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Futbolli shqiptar zbret në fushë pas 3 muajsh, presidenti DUKA uron “aktorët”: Na dhuroni emocione, zbatoni rregullat e distancimit social

Shkruar nga NEWSPORT
Futbolli shqiptar zbret në fushë pas 3 muajsh, presidenti DUKA uron

Sot, rikthehet Kategoria Superiore. Pas një pauze thuajse 3 mujore për shkak të pandemisë së COVID-19, futbolli elitar zbret sot në fushë. Katër sfida luhen në orën 17:00, ndërsa përballja mes Partizanit dhe Skënderbeut është programuar në orën 20:00.

Para rinisjes së aktivitetit futbollistik s’mund të mungonte as urimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ky i fundit ka uruar të gjithë “aktorët” e kampionatit tonë duke i kujtuar zbatimin e masave për distancimin fizik.

Sigurisht që tifozët janë mungesa më e madhe e këtij rifillimi, të cilët do të jenë të detyruar t’i ndjekin ekipet e tyre nga televizori. Në urimin e tij në kanalin zyrtar, presidenti i FSHF-së shkruante:

“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit!

Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit.

Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë.
Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play.
Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit!
Suksese të gjithëve!
Armand Duka
President
Federata Shqiptare e Futbollit”.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga