Futbolli në Kosovë është në zi. Ditën e sotme ka ndërruar jetë ish-kryetari i Prishtinës, Beqir Aliu. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kryeqytetas, ku nëpëmjet një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet për figurën kryesore të këtij klubi në vitet 1991-2001.
“FC Prishtina me pikëllim të thellë e mori lajmin për vdekjen Beqir Aliut, një ndër figurat më të rëndësishme të klubit tonë dhe futbollit të Kosovës.
Beqir Aliu ka qenë kryetar i parë i klubit tonë pas pavarësimit të futbollit të Kosovës nga ai ish-jugosllav në vitin 1991.
Aliu në vitet më të vështira, ato të 90-ta, ishte ndër njerëzit e parë që u tha "jo" ish-regjimit serb. Postin e kryetarit të klubit e ka mbajtur nga viti 1991 deri në vitit 2001.
Prishtina në krye me Beqir Aliun i rendiste sukseset edhe në Ligën paralele. Gjatë kësaj kohe, Prishtina fitoi tre tituj kampioni (1991/92, 1995/96, 1996/97), dy Kupa të Republikës së Kosovës (1993/94 dhe 1994/95) dhe dy Superkupa të Kosovës (1994/95 dhe 1995/96).
Pas përfundimit të luftës Prishtina vazhdoi aktivitetin e saj normalisht dhe pas tetë viteve dëbimi kthehet në stadiumin e saj. Sukseset i vazhdoi si më parë duke u shpallur kampione në vitin 1999/2000.
Aliu u largua nga posti i kryetarit të klubit në qershor të vitit 2001. Ai ishte edhe anëtar në kryesinë e parë të Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 1991. Në altarin e lirisë ra heroikisht vëllai i tij Bajrami, emrin e të cilit e mban Stadiumi i qytetit në Skenderaj.
Emri dhe vepra e Beqir Aliut është shkruar me shkronja të arta në historinë e klubit.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për Prishtinën dhe futbollin e Kosovës dhe veprat e tij do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Me respekt, FC Prishtina”, ka shkruar Prishtina.