Zyrtarisht, është shtuar kolonia e futbollistëve shqiptarë që militojnë në Serie B italiane. Duke nisur prej sezonit të ardhshëm, të paktën edhe një futbollist shqiptar do të jetë më tepër.
Armand Rada dhe ekipi i tij, LR Vicenza janë ngjitur zyrtarisht në Serie B. Ndërkohë që vetë mesfushori 27-vjeçar nuk e ka fshehur gëzimin, por e ka shfaqur atë me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Jemi në Serie B! Një arritje që nuk erdhi rastësisht… falë një grupi që nuk u dorëzua kurrë. Kjo skuadër ka qenë diçka e veçantë. Shokët e ekipit më kanë dhënë shumë, brenda dhe jashtë fushës, dhe shpresoj që edhe unë, sado pak, t’u kem dhënë diçka atyre.
Të shoh familjen time të emocionuar dhe të ndiej çdo ditë mbështetjen e tifozëve është ajo që i jep kuptim këtij suksesi të madh dhe të gjitha sakrificave të bëra. Faleminderit të gjithëve, jam mirënjohës për këto momente që do t’i mbaj përgjithmonë me vete. Forca Vicenza", shkruan Rada.
Kujtojmë se Rada e ka nisur karrierën e tij po në Itali me Olginatese. Ndërkohë që më vonë është aktivizuar me ekipet zinxhir të Interit, duke mos arritur te ai A. Gjithashtu ka luajtur edhe për Renate, Virtus Entella dhe Trento.
View this post on Instagram
