
Më në fund "tym i bardhë" nga Liga Profesioniste. Sezoni i ri futbollistik 2020-2021 i Kategorisë Superiore do të nisë të mërkurën e 4 nëntorit. Pas mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme në "Air Albania Stadium" është vendosur që elita të zbresë në fushë në mesin e javës së ardhshme.
Në fakt ishte parashikuar që një gjë e tillë të ndodhte këtë fundjavë, por për shkak të rikonstruksionit të fushave të "Air Albania" dhe "Elbasan Arenës" është parë e udhës që fillimisht të nisë Kupa e Shqipërisë.
Tapetet e dy stadiumeve s'kanë qenë në gjendje optimale, ndaj ato po zëvendësohen me tapete të rinj. Një gjë e tillë është parashikuar edhe për stadiumin "Selman Stërmasi", teksa pritet të ndërhyhet në ditët në vazhdim.