Nuk do të ketë më zbritje pikësh, kjo është pak por shumë e sigurtë. Flamurtari i shpëton heqjes së pikëve dhe gara nuk prishet. Në Asamblenë e fund të FSHF-së është miratuar vendimi që detyron institucionin që drejton futbollin të kontribuoj financiarisht për të ruajtur garën.
Klubet që kanë detyrime financiare ndaj futbollistëve, trajnerëve apo dhe klubeve të tjera dhe nuk kanë mundësi për të paguar në kohë, do të marrin ndihmën e FSHF-së. Borxhet do të paguhen nga llogaria e klubeve në FSHF dhe në rastet kur ajo është zero apo me minus, do të jepen para në formë kredie të cilat mund të likuidohen në një moment të dytë.
Në këtë mënyrë, gara nuk cënohet. Propozimi ka ardhur nga UEFA dhe ka gjetur miratimin e FSHF-së që ka ndihmuar duke dhënë para paradhënie për klube si Flamurtari, Tirana, Vllaznia dhe Dinamo që kanë hasur vështirësi për të likuiduar borxhet e shumta nga e kaluara.