Duke nisur nga sezoni i ri, kampionati australian i futbollit do të ketë një futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për Krisit Vangjelin, i cili bëri atë që di të bëj më mirë një kangur, kërceu nga Skënderbeu në Shqipëria, te Adelaide Olympic Club në ligën jugore të futbollit australian.
Një transferim që është pritur me shumë bujë nga mediat vendase, që e kanë përshkruar 33 vjeçarin si futbollistin ideal për skuadrën e Adelaide. Jo vetëm kaq. Jehonë në mediat australiane ka bërë karriera e Vangjelit, që në të shkuarën ka pasur kundërshtarë dy futbollistët më të mirë në qarkullim, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
"Kundërshtar me Ronaldon dhe Messin në Adelaide Olympic"-shkruan gazeta kryesore Australiane, të cilën e shoqëron me foton ku duket Vangjeli në aksion me Ronaldon, në ndeshjen e 15 tetorit 2008, e mbyllur në barazim 0-0 mes Shqipërisë dhe Portugalisë.
Ndërkohë, fokusi i mediave të tjera ka qënë te futbollisti tjetër i cili ka fituar 5 herë "Topin e Artë".
"Ka luajtur kundër Cristiano Ronaldos dhe ka sfiduar Messin në humbjen 4-0 që Shqipëria e tij pësoi në miqësoren ndaj Argjentinës."-shkruajnë mediat e tjera të kontinetit të largët.
