Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Sulm totalisht brazilian, lojtarët më të mirë dhe trajneri fitues i javës së 22-të të Superiores

Shkruar nga NEWSPORT

Java e 22-të e Superiores "uli siparin" për t'i lënë vendin javës së 23-të që do të zhvillohet të dielën dhe të hënën. Mjaft gola dhe rezultate surprizë, ku mund të veçohen barazimi 1-1 i Partizanit në Fier apo humbja e Vllaznisë kryesuese në Durrës.

Newsport.al ka zgjedhur më të mirët e kësaj jave që lamë pas. Nga porta e deri në sulm, ku vlen të veçohet Romeo Harizaj që nuk i lejoi fitoren kryeqytetasve duke mbrojtur deri në fund katërkëndëshin e tij. Trajneri fitues në këtë javë padyshim është Edi Martini që me përgatitjet e tij arriti të mposhtë kryesuesit e Superiores.

FORMACIONI I JAVËS:

Romeo Harizaj - Partizani nuk arriti të fitonte kundër Apolonisë dhe meritë kryesore ka pikërisht portieri i fierakëve. I riu nuk lejoi të kuqtë të triumfonin falë pritjeve të jashtëzakonshme në një ndeshje të dominuar nga skuadra e Ilir Dajës. Devijon gola të sigurt duke u shndërruar në pikë të rëndësishme në formacionin e trajnerit Camarata.

Marsel Ismailgeci - Tirana fitoi me në fushë një talent si mëngjërashi i linjës së majtë të mbrojtjes. Ndaj Bylisit ishte dita e tij. Asist dhe gol i shënuar në fitoren 2-0 ndaj mallakastriotëve. Shpesh herë me performanca pozitive, megjithatë ka ende punë për të arritur në majë. Në këtë javë të 22-të, më i miri në anën e majtë të mbrojtjes.

Renato Arapi - Cilësitë dhe veçanërisht eksperienca që ka mbi supe, i kanë dhënë siguri të gjithë skuadrës së Teutës në repartin e prapavijës. Mbron mirë dhe neutralizon çdo sulm të ekipit të Vllaznisë. Jep një kontribut të madh në fitoren kundër kryesuesve të Superiores. Luks për çdo trajner të punojë me shtatlartin durrsak.

Jocelin Behiratche - Ka disa muaj te bardheblutë, ndërsa javët e fundit në mungesë të organikës së plotë për trajnerin Shehi ka fituar vendin e titullarit. Dje, qendërmbrojtësi afrikan ishte protagonist në fitoren 2-0 të Tiranës ndaj Bylisit. Arrin të zhbllokojë rezultatin duke shfrytëzuar mirë një goditje dënimi.

Albion Marku - Çfarë talenti po rritet në Laç. Me siguri kurbinasit janë penduar që e lanë të lirë vjet mbrojtësin e linjës së djathtë duke u transferuar në Kroaci. Tashmë në formë huazimi te bardhezinjtë, futbollisti i Shpresave shkëlqen kundër Kukësit. Mbron dhe sulmon mirë njëkohësisht. Zbaton me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri Duro.

Reimal Haxhiu - Apolonia arriti të ndalte dje Partizanin dhe një ndeshje të mirë bëri pikërisht mesfushori i fierakëve. Esin Hakaj realizoi në portën e tij dhe pikërisht Haxhiu ishte ai që "detyroi" të shënonte mbrojtësin e Partizanit pas një inkursioni të bukur në krahun e majtë. Lë në vend Hektor Idrizajn dhe pason bukur në zonë që për fatin e keq të Hakajt, sfera përfundon në rrjetë.

Regi Lushkja - Ka disa vite që luan te Laçi dhe po aq kohë që shkëlqen me fanelën e kurbinasve. Punon fort në mesfushë duke shkatërruar çdo aksion të kundërshtarëve. Ndaj Kukësit nuk lejon verilindorët të çajnë, duke i detyruar të sulmojnë nga krahët në ato pak raste të paraqitura. Me të drejtë analistët e kanë vlerësuar maksimalisht për performancën e dhënë vit pas viti.

Dejvi Bregu - Klas, shpejtësi dhe finalizim. Kështu mund të cilësohet shkurtimisht vlonjati i Teutës që këtë sezon ka shënuar golin e 7-të personal. Shkëlqen deri në momentin e zëvendësimit për durrsakët duke mposhtur me perlën e tij skuadrën e Vllaznisë. Një vlerë e shtuar në merkaton e verës për trajnerin Edi Martini që tashmë ka nisur t'i vjelë më të mirën e repertorit të tij.

Emiliano Musta - U largua nga Kukësi në verë dhe në çdo ndeshje ndaj verilindorëve duket se kërkon t'i tregojë drejtuesve se sa shumë kanë gabuar me të. Arrin të zhbllokojë shifrat e takimit duke realizuar një gol shumë të rëndësishëm për Laçin. Vrapon shumë në krahun e majtë, duke mbrojtur dhe sulmuar njëkohësisht. Është i kudogjendur në fushën e blertë.

Lucas Cardoso - Nuk preferohet titullar nga trajneri Ilir Daja edhe pse mungonte sërish Stenio Junior. Sulmuesi brazilian ka qenë në qendër të kritikave për performancën e tij e ndoshta kjo mund të ketë ndikuar edhe te zgjedhjet e Dajës. Mirëpo fusha e blertë i jep të drejtë Cardosos, i cili sapo futet si zëvendësues në pjesën e dytë, arrin të shënojë golin e vetëm për ekipin e Partizanit.

Devid Da Silva - Sulmuesi brazilian i Kastriotit zgjidh ndeshjen kundër Skënderbeut në transfertë. 3 pikë me shumë vlerë për skuadrën e drejtuar nga Ramadan Ndreu që jepen pikërisht nga shtatlarti i sulmit pas një krosimi nga e djathta. 24-vjeçari po bën mirë në këtë sezon futbollistik me krutanët duke arritur numrin 7 të golave të shënuar.

Trajner Edi Martini:
Përballë ka një skuadër si Vllaznia që prej 22 javësh kryeson Kategorinë Superiore. Trajnerit shkodran i duhet të mundë ekipin në të cilin është rritur dhe ka dhënë gjithçka për atë fanelë. E në fakt ia del më së miri që me Teutën e tij t'i gjejë pikën e dobët kuqebluve duke marrë 3 pikë që e bëjnë kandidate potenciale për titullin kampion.

Formacioni i javës
Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga