Java e 21-të e Superiores “uli siparin”, ku spikati ndeshja mes Partizanit dhe Laçit e mbyllur në shifrat 1-1. Veç këtij takimi, vlen të veçohet edhe fitorja e Tiranës 2-1 në transfertë kundër Vllaznisë që duket se ka futur në një mini krizë kryesuesit e Superiores.
Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët e kësaj jave, nga portieri e deri te maja e sulmit që këtë herë udhëhiqet nga dyshja Harmon dhe Seferi. Trajneri i javës padyshim është Orges Shehi që arriti të merrte 3 pikë me mjaft vlerë në transfertën e vështirë shkodrane. Më poshtë njihuni me më të mirët e kësaj jave, nga porta e deri në sulm.
ALBAN HOXHA – Vlerat e tij tashmë njihen në kampionatin shqiptar, por një skuadër që ka 6 javë pa humbje, padyshim që meritë të madhe ka edhe portieri. “Gardiani” i të kuqve ishte i pakalueshëm, veç një momenti, në përballjen e vështirë me Laçin. Me shiritin e kapitenit në krah, jo vetëm mbron mirë portën, por motivon edhe si duhet lojtarët e tij për t’ia bërë jetën “terr” kurbinasve që në Elbasan Arena tentuan me çdo kusht fitoren.
ANDI HADROJ – Një motorr në prapavijën mallakastriote. Nuk pushon për gjatë gjithë 90 minutave duke dhënë një kontribut të madh në fitoren minimale kundër Skënderbeut. Asiston mirë për shokët e ekipit, por gjithashtu mbron si duhet sulmet kundërshtare. Konstant në formën e tij, këtë javë 22-vjeçari pukian shkëlqen në “Adush Muça”.
KRISTI VANGJELI – U rikthye pas një periudhë të vështirë në jetën e tij, por tanimë duket se ka marrë në dorën peshën e mbrojtjes së Tiranës. Edhe pse pozicioni i tij natyral ka qenë gjithmonë mbrojtës i djathtë, ky është sezoni i dytë për korçarin që po jep një kontribut të madh për kampionët e Shqipërisë. Në Shkodër ishte ndër më të mirët në fushë duke neutralizuar çdo nismë të kundërshtarëve për të ngacmuar portën bardheblu.
MILOS STOJANOVIÇ – E disata herë që shtatlarti serb i ballshiotëve fiton një vend në formacionin e javës. I saktë në pasime dhe i pakalueshëm nga ekipi korçar. Iniciator i organizimit të lojës për Bylis dhe në fund del nga Adush Muça me 3 pikë. Protagonist në penalltinë e fituar nga skuadra e tij që shndërrohet në gol nga Bejl.
RUDOLF TURKAJ – Në mungesë Emiliano Mustës, trajneri Shpëtim Duro i beson 26-vjeçarit nga Lezha. Çfarë super ndeshje ndaj Partizanit. Luan gjithmonë para, por di të mbrohet mirë edhe pas. Protagonist në golin e realizuar nga Harmon, pasi ishte ai njeriu asist për sulmuesin afrikan. Nuk pushon asnjë sekond, zbaton me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri i tij duke u shndërruar në makth për sulmin e Partizanit.
ESAT MALA – Ky lojtar nuk e njeh fjalën lodhje. Pas një sezoni të vështirë në edicionin e shkuar, këtë vit është rikthyer futbollisti punëtor që të gjithë njohin. Padyshim një vlerë e shtuar për formacionin e Ilir Dajës që duket se po i merr më të mirën shtatshkurtrit. Thuajse fitimtar në çdo dyluftim në mesin e fushës, por edhe mjaft teknik me topin duke ia bërë të vështirë kundërshtarit markimin e tij.
IDRIZ BATHA – Jo më kot ka marrë shiritin e kapitenit te Tirana. Atëherë kur skuadra ka nevojë, ai është aty duke marrë për dore ekipin. Goditjet e dënimit janë arma e tij e fortë dhe në Shkodër tregoi edhe një herë që shumë rrallë i gabon këmba. Në krah të tij është rikthyer Jurgen Çelhaka e të dy së bashku kanë krijuar një digë të mrekullueshme para mbrojtjes bardheblu. 3 pikë në “Loro Boriçi” ku një meritë të madhe ka gjirokastriti i kampionëve.
ERALD ÇINARI – Sa shumë që i kishte munguar fusha këtij njeriu. Atraktiv jo vetëm në stërvitje, por edhe në çdo ndeshje duke u shndërruar në pikë referimi për klubin e kuq. Vrapon pa pushim dhe është në flirt të vazhdueshëm me golin. Ka një të majtë të “hidhur” e këtë e tregoi edhe ndaj Laçit me golin e shënuar. Arrin të krijojë hapësira për shokët e ekipit duke ia bërë më të lehtë Bardhit dhe Malës depërtimet në qendër të zonës kundërshtare.
REDON XHIXHA – Në mungesë të Mentor Mazrekajt, Shpëtim Duro hedh në fushë talentin kurbinas. Pjesa e parë nuk ishte në nivelin e pritur për fantazistin, por 45 minutat e dyta ishin të “tijat”. Driblon disa herë, vrapon me top dhe pa top për të krijuar hapësira, kombinon mirë me Harmon dhe vetëm goli personal i mungoi ndaj Partizanit. Shpërblen më së miri besimin e dhënë nga trajneri Duro duke treguar se do të jetë konkurrent i denjë për Mazrekajn, për një vend në formacionin titullar.
DEJVI BREGU – 2 gola të shënuar nga Teuta, 2 gola të realizuar pikërisht nga vlonjati. Çfarë vizioni, çfarë fantazie të mrekullueshme ka ky lojtar në ndeshje. Luks për çdo trajner ta ketë në skuadër dhe në këtë sezon fantastik të durrsakëve, padyshim që një meritë kryesore ka edhe shtatshkurtri i afruar nga Skënderbeu. Ndaj Kukësit shkëlqen dhe 1 pikë e marrë nga skuadra e Martinit, një kontribut të madh ka pikërisht ai.
TAULANT SEFERI – Të gjithë mund të jenë skeptikë për rastet e humbura nga sulmuesi i Kombëtares, por sa shumë ka punuar ai për fitoren 2-1 kundër Vllaznisë. Njeriu asist për Elton Calenë, madje e nxjerr dhe herën e dytë para Zogoviç, por braziliani nuk arrin ta çojë topin në rrjetë. Një rast flagrant i tij mund të hidhte poshtë gjithë paraqitjen e mrekullueshme, por 3 pikë të marra nga bardheblutë i japin të drejtë Seferit të ketë një vend në formacionin e javës.
TRAJNER ORGES SHEHI:
Rikthehet në pankinë pas dy javësh mungesë për shkak të COVID-19. Arrin të fitojë një ndeshje të vështirë si transferta shkodrane, mposht pikërisht skuadrën e Vllaznisë që me meritë kryeson Kategorinë Superiore. Nuk e vë në diskutim asnjëherë fitoren ndaj bardhekuqve duke na kujtuar Tiranën e sezonit të shkuar që prodhonte spektakël në fushën e blertë. 3 pikë mjaft të rëndësishme për të arritur objektivin, Europën që sigurisht do të shpëtonte edhe sezonin e vështirë të kampionëve. /Newsport.al/