Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 19-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria Superiore luajti javën e 19-të të saj që përkon edhe me nisjen e fazës së tretë të kampionatit. Situata fillon e ‘nxehet’ dhe kampionati futet në pjesën më të bukur të saj. Surpriza nuk kishte këtë javë teksa favoritët bënë detyrat edhe pse me pak vështirësi. Top 4-shja e Superiores fituan ndeshjet e tyre duke nisur kështu shkëputjen me pjesën e poshtme.

Në këtë panoramë të javës së 19-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të javës, lojtarët që u kthyen protagonistë si dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin e javës që drejtoi ekipin te fitorja.

-FORMACIONI-

Mario DAJSINANI (Laçi) Në një sfidë ku ekipi i tij luajti për më shumë se 30 minuta me një lojtarë më pak, gardiani i kurbinasve rrit ‘marshin’ dhe bën disa pritje që i siguruan 1 pikë bardhezinjve. Në fund mban edhe portën e paprekur.

Andi HADROJ (Partizani) Pa mëdyshje, lojtari më i mirë i Partizanit në fitoren ndaj Teutës. Taipi luante si sulmues i majtë, por instikti i mesfushorit e ‘detyronte’ të ‘harronte’ krahun, krah të cilin Hadroj e bëri perfekt si në mbrojtje, edhe në sulm. Fitoi penalltinë vendimtarë që solli golin e vetëm dhe provoi disa herë të shënonte të vetin.

Nehar SADIKI (Erzeni) Është siguria e shijakasve në prapavijë. I fortë në duelet tokësore dhe ato ajërore, një rrezik për goditjen nga këndi dhe një nisës i mirë i aksioneve. Mbrojtës i kompletuar.

Erjon HOXHALLARI (Tirana) 49 minutat e para, përfshirë shtesat, ishin për t’u harruar nga Tirana. Mbrojtja s’ishte kërkund në 2 golat e pësuar, por më pas gjithçka ndryshoi. Hoxhallari ishte nismëtari i përmbysjes spektakolare me golin e tij dhe tentoi disa herë të tjera me krosime apo goditje nga larg.

Geralb SMAJLI (Vllaznia) Iu deshën vetëm 50 sekonda për të lëshuar një top ‘alla-Pirlo’ që nxorri Grudën të vetëm para portierit. Talenti shkodran ka fituar besimin e të gjithëve dhe është kthyer në një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të Superiores, jo më kot ka oferta në tryezën e Vllaznisë.

Ardit DELIU (Tirana) Çdo top i bardhebluve kalon nga këmbët e tij. Është padyshim lider në fushën e lojës dhe një nga hallkat më të rëndësishme të formacionit. Shpeshherë bëhet protagonistë me gola e asiste siç ishte ndeshja e fundit me Dinamon ku shënoi golin e barazimit 2-2, përpara përmbysjes.

Fatjon ANDONI (Dinamo) Për gati 50-60 minuta, Dinamo bënte ‘ligjin’ në Niko Dovana. Mesfushori i bluve dominoi çdo sektor ndaj bardhebluve dhe shënoi një eurogol me të parën nga mesi i fushës. Nëse shokët e tij do të ishin treguar më të kujdesshëm, Dinamo do të dilte me 3 pikë të arta që do ta fusnin ‘zyrtarisht’ në garë për Final Four.

Bekim MALIQI (Erzeni) Zbulimi i sezonit është ‘xholi’ dardan i shijakasve. Veç portës, ka luajtur në të 3 repartet dhe në të dyja krahët e lojës. Rendiment i lartë në mbrojtje dhe sulm, ndaj Laçit bëri ç’të mundte për të krijuar ndonjë rast goli.

FERNANDO Medeiros (Egnatia) Skuadrat e mëdha dhe lojtarët e mëdhenj shpeshheë tregojnë se janë të aftë të fitojnë edhe kur janë në një ditë të keqe. Kështu ndodhi me Egnatian dhe Fernandon. Rrogozhinasit nuk ishin ekipi që jemi mësuar të shohim, por cilësia individuale i dha 3 pikët e rradhës. Braziliani shënoi golin e vetëm me penallti dhe e gjuajti në formë panenka duke heshtur kritikët për 11-metërshin e humbur në Superkupë.

Ildi GRUDA (Vllaznia) Një prekje dhe gol, shënon Gruda dhe Vllaznia e ‘nis’ ndeshjen në avantazh. Në javët e fundit është i pandalshëm në krahun e majtë të sulmit. Ndaj Kukësit provoi disa herë për të shënuar golin e dytë, por në fund u mjaftoi vetëm ajo e mintuës së parë për të marrë 3 pikët.

Liridon LATIFI (Tirana) Sulmuesi i bardhebluve po has vështirësi deri tani, por ndaj Dinamos ishte protagonist absolut. Latifi asistoi për Deliun në golin e barazimit dhe shënoi vetë penalltinë e përmbysjes së madhe që i dha 3 pikë të arta Tiranës.

Trajner: Qatip OSMANI (Vllaznia) Fitorja e 4-të rradhazi e shkodranëve që blindojnë kështu një vend në Final Four. Fitore minimale ndaj Kukësit duke mbajtur edhe portën e paprekur. Edhe pse Vllaznia nuk ishte në atë formën e saj më të mirë, arriti të merrte 3 pikët e rradhës duke qenë kështu ekipi më në formë i Superiores.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga