Kategoria Superiore mbylli javën e 15-të, një javë që nisi vrullshëm me një fitore bindëse të Egnatias ndaj Vllaznisë dhe u mbyll me derbin Tirana – Partizani që s’ka nevojë për koment. Emocione të veçanta në të 5 sfidat e luajtura ku u prodhuan rezultate interesante.
Si çdo javë, Newsport.al ka përzgjedhur 11 lojtarët më të mirë të cilët u bënë protagonist me ekipet e tyre. Nga porta deri në sulm, formacioni mbyllet sigurisht me trajnerin e javës.
-FORMACIONI I JAVËS-
Edmir SALI (Dinamo City) – Ka fituar vendin e titullarit në balotazhin me Bekim Rexhepin, i cili e nisi sezonin si numri 1 në portën dinamovite. Gardiani Sali prej javësh po shkëlqen në kuadrat dhe ndaj Laçit thjeshtë ishte i pakalueshëm. Vendimtar me pritjet në pjesën e dytë duke bër që të mbante portën e paprekur.
Albi DOKA (Tirana) – Zhvilloi ndoshta ndeshjen më të mirë që pas rikthimit te Tirana. Anësori i bardhebluve kishte një ‘marsh’ më shumë se të tjerët duke sjellë zhdërvjellësinë në krahun e djathtë. Nga mbrojtja në sulm, Doka ishte një dorë më shumë për Najdovskin dhe Hasanin apo Abazajn.
Renato MALOTA (Egnatia) – Një ndeshje perfekte e realizuar nga kapiteni i Egnatias. Si lider i skuadrës bëri detyrën duke u ofruar qetësinë në prapavijë lojtarëve të tij dhe u dha konfidencë pjesës përpara për t’u mos shqetësuar ta kthejnë kokën pas. I saktë në çdo ndërhyrje dhe vuri totalisht në hije Bekim Balajn duke mbajtur portën e paprekur.
Marcos RAMOS (Skënderbeu) – Paraqitje solide e mbrojtësin të korçarëve. Braziliani erdhi pa shumë bujë nga Burreli në Kategorinë e Parë dhe deri tani është kthyer në titullar absolut falë paraqitjeve të tij. Ndaj Erzenit bëri mjaft mirë detyrat mbrojtëse duke ndihmuar ekipin të mbante portën e parpekur.
Edison NDRECA (Egnatia) – Thjeshtë fantastik! Para, mbrapa, anash, në qendër, luan kudo dhe kudo jep më të mirën. Një tjetër ndeshje që tund rrjetën dhe i jep ‘jetë’ aksionit për golin e Paulaskas. Ndër më të mirët e Superiores.
Plarent FEJZAJ (Kukësi) – I pazëvëndësueshëm në rradhët e Kukësit. Ndaj Teutës iu vështirësua në maksimum detyra me daljen me karton të kuq të mbrojtësi Lala. Fejzajt iu kërkua të shtonte forcat në defansivë dhe e bëri në mënyrën më të mirë. ‘Digë’ përpara mbrojtjes duke iu vështirësuar depërtimin lojtarëve durrsak.
Fatjon ANDONI (Dinamo City) – Te Dinamo e prisnin aq shumë rikthimin e tij. U dëmtua në fillim të sezonit, por tani është rikthyer në formën e duhur. Tani e kuptojmë pse e prisnin me kaq padurim. Bën diferencën me topin, skanon çdo centimetër të fushës dhe i jep qetësinë shokëve të skuadrës. Qershia mbi tortë është goli i shënuar dhe merr sërish përsipër Dinamon e tij.
Florent HASANI (Tirana) – Nuk pritej as të ishte në stol, e jo më titullar e të shënonte sërish në derbi. Florent Hasani mori përsipër një rrezik shumë të madh me futjen e tij në fushë. Por, derbi është derbi dhe nëse nuk rrezikohet për një sfidë të tillë, ku mund të rrezikosh tjetër? Në sulmin e Tiranës është i vetmi që i fut frikën kundërshtarëve. Jep aq shumë sa duket se bën edhe detyrën e Latifit e Abazajt të cilët prej javësh e lënë në baltë shokun e repartit. Tund rrjetën në pjesën e parë dhe ngjitet në krye të listës së golashënuesve të Superiores.
Albers KEKO (Partizani) – Golat e tij janë 100% gola që të japin pikë. Nëse në derbin e parë autorësinë ia ‘vodhi’ një ledhatim i Mensah, kësaj rradhe s’ka as devijim, as prekje e lehtë, por festë e kuqe me organizator Albers Kekon. Futet nga stoli dhe në pak minuta tund rrjetën duke shmangur humbjen në derbi dhe Partizani vijon ecurinë pozitive ku nuk njeh disfatë prej 9 javësh.
Vusal Isgandarli (Egnatia) – Paraqitje për t’u duartrokitur e sulmuesit azer. Në golin e parë të Egnatias tërheq dy mbrojtës duke i dhënë hapsirë Ndrecës i cili i lënë bosh në zonë s’e ka të vështirë të tundë rrjetën. Në golin e dytë të Paulaskas ishte ai që i dha asistin lituanezit dhe të tretin e shënoi vetë duke vulosur fitoren dhe 3 pikët. Fantastik!
Franklin AHANONU (Skënderbeu) – Këmbët e tij vendosit fatet e ndeshjes për Skënderbeun. Në fazën e parë ishte i ‘zhdukur’ saqë u përfol për një ndërprerje të hershme të kontratës, por në të dytën është thjeshtë i pandalshëm. Në 6 paraqitje ka shënuar 4 gola, i fundit në ndeshjen me Erzenin. Afrikani shënoi golin e vetëm i cili mori vlerën e 3 pikëve për korçarët që konfirmohen sërish në ‘Final Four’.
Trajneri: Dritan Mehmeti (Dinamo City) – Me ardhjen e tij në stol, dinamovitët nuk njohin humbje. E ka kthyer situatën totalisht përmbys duke grumbulluar plot 12 pikë në 6 ndeshje duke ndalur në barazim edhe Tiranën e Partizanin. Ndeshjen e fundit ndaj Laçit, Dinamo e tij kontrolloi çdo cep të fushës, shënoi 2 gola dhe mbajti portën e paprekur. I merituar vlerësimi si trajner i javës.
[caption id="attachment_714580" align="alignnone" width="741"] Formacioni i Javes së 15-të të Superiores[/caption]