Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 15-të, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Java e 15-të e Superiores uli siparin duke mbyllur dhe këtë vit kalendarik. Derbi i kryeqytetit ishte kryefjalë, ku këtë herë ishte Partizani ai që triumfoi 1-0. Gjithmonë përballja mes këtyre dy ekipeve ka ngjallur interes dhe në formacionin e javës, janë të kuqtë me më shumë futbollistë të përzgjedhur nga Newsport.al.

Nga porta në sulm, janë zgjedhur 11 lojtarët që lanë gjurmë këtë javë dhe në një mënyrë ose tjetër ndihmuan ekipet e tyre. Një vend të rëndësishëm zë edhe trajneri i javës ku padyshim e zë italiani Giovani Colella si fitues i derbit.

FORMACIONI I JAVËS:

Edmir Sali (Kastrioti) - Edhe pse humbi ishte në një ditë fantastike. Javë pas javë tregon nivele të larta në katërkëndësh. Ky vit duket se është një garë mes tij dhe Dajsinanit të Laçit. Dy gardianët “shkëmbejnë” vendet javë pas jave. Kësaj rradhe i takon portierit të  krutanëve.

Andi Hadroj (Partizani) – Motorr i Partizanit në krahun e djathtë. Trajneri i kishte caktuar detyrën më të vështirë, të neutralizonte Redon Xhixhën. Anësori kreu me përpikmëri misionin e tij duke u kthyer në makth për golashënuesin më të mirë të kampionatit. Aq problematik saqë Xhixha u detyrua të ndërronte krahun disa herë gjatë ndeshjes.

Erdenis Gurishta (Vllaznia) – Ndeshja e tretë në qendër të mbrojtjes. Kapiteni luan kudo për ekipin e tij, sidomos kur skuadra ka nevojë. Solid në mbrojtje dhe çdo aksion nis nga këmbët e tij. Asnjë duel i humbur dhe një lider për lojtarët e rinj në ekip si Smajli apo Alivoda.

Eneo Bitri (Partizani) – Qendra e mbrojtjes përbeht nga dy kapitenë, liderë të skuadrave të tyre. Si Gurishta, edhe Bitri, mbajnë shiritin me plot meritë në krahun e tyre. Mbrojtësi ishte i pakalueshëm në derbi. Bllokoi për çdo minutë Patrick, por edhe Xhixhën kur ndërronte pozitat. Performancë stabël e tij.

Esin Hakaj (Vllaznia) – Hapi rrugën e goleadës me golin e tij që nisi po vetë nga ai. Esin Hakaj është nga anësorët më të mirë në Shqipëri. Rrallë herë gabon në detyrat e tij. Sëbashku me Gurishtën janë pikë  referimi te Vllaznia.

Gjelbrim Taipi (Kukësi) – Kapiteni bëri atë që duhet të bëjë një kapiten. Një supergol nga goditja e dënimit nxorri nga balta Kukësin që kishte humbur rrugën dhe tashmë e mbyll vitin me një fitore.

Massanga Matondo (Partizani) – Regjizori i Partizanit. Në këmbët e mesfushorit filtrohet çdo top. Kur të kuqtë u duhej të mbronin, Matondo kthehej në mur. Aksionet nisin bukur nga këmbët e ti. Është vetëm 23-vjeç dhe luan në një vend shumë larg vendlindjes së tij por karakteri i tij shihet qartë, nuk ngurron të udhëzojë shokët. Në minutat e fundit shihej të motivonte Skukën i cili ishte i nervozuar me arbitrin kryesor.

Fernando (Egnatia) – Nëse ka një futbollist që vijon të njëjtën nivel javë pas jave, ai është Fernando. Braziliani i Egnatias është armë e fortë në repartin kreativ. Bashkë me Zejnullain kanë formuar ndoshta dyshen më të fortë në Superiore. Edhe pse rogozhinasit ishin me 10 lojtarë, Fernando arriti të barazonte shifrat për të vijuar më pas me golin e fitores.

Esat Mala (Vllaznia) – Një fitore e lehtë në pamje të parë nga Vllaznia por të tillë e bëri Esat Mala. Trajneri Josa i dha një pozitë të re, në krahun e djathtë të sulmit, dhe kosovari e bëri në mënyrën më të mirë. Dy penallti të fituara, një për golin e parë dhe një për golin e tretë që “vrau” Teutën. Thjeshtë, i mungoi vetëm goli.

Xhuliano Skuka (Partizani) – Partizani u rikthye te fitorja në derbi pas 6 ndeshjeve që flisnin bardheblu. Fitorja u dhurua nga udhëheqësi i sulmit. Nuhatja që ka për golin është e frikshme. U gjet në vendin e duhur në devijimin e topit nga Najdovski dhe në mënyrë akrobatike shënoi me të parën për t’i dhënë dhuratën e fundvitit tifozëve të kuq.

Tedi Cara (Partizani) – Nga java në javë tregon pjekuri. Shihej si një talent që nuk do të çante dot por këtë sezon është kthyer në pikë referimi për lojtarët e Partizanit. U afrua disa herë me golin dhe vetëm një mrekulli e portierit Bekaj bëri që ai të mos festonte golin e tij.

Trajner: Giovanni Colella (Partizani) – Humbja në derbin e parë iu faturua atij. Kësaj rradhe i duhet të marrë meritat që i takojnë. Një ndeshje e dominuar për 113 minuta, i mori “frymën” ekipit të Shehit. Tirana nuk humbi thjeshtë derbin, Tirana humbi edhe topin. Zëvëndësime të duhura në momentin e duhur. Italiani kishte çelësin për suksesin e fundvitit dhe tashmë e mbyll vitin me 4 pikë diferencë.

[caption id="attachment_672956" align="alignnone" width="239"] Formacioni i javes 15-te[/caption]

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga