Kategoria Superiore mbyll vitin futbollistik 2023 me javën e 18-të të kampionatit që përkon me të fundit të fazës së dytë. Dy faza që kanë dhuruar emocione dhe spektakël që kulmuan me 2 derbit mes Tiranës e Partizanit, ndërsa Egnatia kryeson që prej javës së 5-të.
Në gjithë këtë panoramë të 18 javëve të luajtura, Newsport.al ka përzgjedhur 11 lojtarët më të mirë të cilët u kthyen në protagonistë absolut për skuadrat e tyre. Sigurisht, një vend të rëndësishëm zë edhe trajneri më i mirë i cili udhëhoqi djemtë e tij drejt suksesit.
-FORMACIONI-
Angelos TAFAS (Kukësi) – Padyshim lojtari më i mirë që ka Kukësi dhe jo më kot është kapiten. Gardiani është një siguri në katërkëndësh të cilin e ka mbajtur plot 7 herë të paprekur, askush më shumë se ai. Kjo arritje është për t’u vlerësuar duke parë faktin që verilindorët kanë mbrojtjen e dytë më të dobët të kampionatit.
Bekim MALIQI (Erzeni) – ‘Xholi’ i shijakasve është një ‘mrekulli’ për trajnerin Deliallisi i cili e ka përdorur në të tre repartet e lojës, nga mbrojtja deri në sulm. Plot 4 gola të shënuara, më shumë se çdo mbrojtës tjetër në Superiore.
Renato MALOTA (Egnatia) – Lider i rrogozhinasve dhe një siguri e madhe në prapavijë. Malota sjell eksperiencën dhe cilësinë te Egnatia duke konsoliduar repartin defansiv. Thuajse i pamposhtur në luftën në ajër si dhe një nismëtar i mirë i aksioneve të skuadrës.
Ajdi DAJKO (Laçi) – Vetëm 21-vjeç por sa i qetë në fushën e lojës. Ka një detyrë të vështirë për moshën e tij, atë të qendërmbrojtësit, por ia ka dalë ta realizojë mjaft mirë. Kurbinasit kanë mbrojtjen e dytë më të mirë në Superiore me 19 gola të pësuar dhe faktor i rëndësishëm për këtë është padyshim mbrojtësi i Shqipërisë U-21.
Edison NDRECA (Egnatia) – Rivalitet i fortë me Florjan Përgjonin e Tiranës, por anësori i Egnatias fiton balotazhin teksa ka zhvilluar një gjysmësezoni fantastik. I shkëlqyer në krahun e majtë me 2 gola e 4 asiste, sallaksi nga Mirdita fiton krahun e majtë të mbrojtjes.
Serxho UJKA (Laçi) – Mesfushori i Laçit është futbollisti me më shumë asiste në Superiore. Loja e Laçit kalon e gjitha nëpërmjet këmbëve të tij dhe Ujka është gjithashtu autor i 3 golave duke u bërë kështu mesfushori më produktiv i kampionatit.
FERNANDO Medeiros (Egnatia) – Braziliani që kërcen ‘samba’ me topin. Bën atë që të gjithë presin nga një brazilian. I ‘dashuruar’ me topin të cilin e përdor si të dojë dhe e pason ku të dojë. Flitrues i aksioneve dhe ka një saktësi pasimesh të frikshme. Në repertorin e tij numërn gjithashtu 2 gola e 3 asiste.
Florent HASANI (Tirana) – Golashënuesi më i mirë i sezonit të vjetshëm vijoi ‘zakonin’ edhe në këtë të riun. Në 16 ndeshje të zhvilluara, ylli i Tiranës shënoi plot 11 gola e 3 asiste duke u larguar si kryegolashënues nga kampionati shqiptar.
Arinaldo RRAPAJ (Partizani) – ‘Topi i Artë’ i Superiores nuk kishte si të mungonte në formacionin më të mirë. Talenti dhe ylli i Partizani është lojtari më i shtrenjtë i kampionatit dhe këtë e tregon fusha e blertë, aty ku ai dhuron magji. Me 2 gola e 5 asiste vlonjati ka udhëhequr të kuqtë edhe këtë sezon.
Raphael DWAMENA (Egnatia) – Fjalët janë të tepërta për këtë njeri. Si futbollist e kemi shijuar, si njeri jashtë saj ishte fat për miqtë e tij. Përpara tragjedisë kryesonte listën e golashënuesve me 9 gola në vetëm 11 ndeshje. Sa shumë i mungon Superiores...
Bekim BALAJ (Vllaznia) – Pa Hasanin dhe Dëamenan, rruga drejt ‘Këpucës së Artë’ duket autostradë për bomberin shkodran. Kapiteni i Vllaznisë kryeson aktualisht listën e golashënuesve me 11 gola duke udhëhequr skuadrën e tij drejt objektivit ‘Final Four’.
Trajner: Edlir TETOVA (Egnatia) – Si trajneri i skuadrës kryesuese e meriton me të drejta të plota vendin si më i miri në 2 fazat e para. Egnatia e tij është një bukuri për t’u parë e shijuar. Futboll atraktiv, gola dhe spektakël. Janë plot 5 pikë larg vendit të dytë dhe të mos ishte për ‘Final Four’, do të ishin pretendentët kryesor me diferencë për të fituar titullin kampion.