
Me të drejtën e plotë, kjo ishte java e ekipeve jo të mëdha. Partizani, Kukësi, Tirana dhe Skënderbeu u gjunjëzuan para rivalëve respektivë të Laçit, Teutës, Luftëtarit dhe Flamurtarit duke treguar dhe njëherë se ky kampionat devijon nga parashikimet nga java në javë.
Kryetitull është fitorja e madhe e Teutës në shtëpi ndaj Kukësit 2-1 duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë 0-1 për Kukësin. Mjaftuan 3 minuta dhe heroizmi i Hidit që Teuta të marrë me meritë vendin e dytë. Partizani dështoi të shkëputej nga ndjekësit, pasi sërish Laçi ngriti fortesën ndaj të kuqve, të cilët pavarësisht penalltisë inekzistente në favor të Laçit, u mungoi forca të mposhtnin kurbinasit. Flamurtari merr fitoren e parë në këtë vit ndaj një Skënderbeu të dobët dhe të mposhtur nga presioni psikologjik. Vlonjatët nuk njohin probleme dhe njësoj si me Teutën e Kukësin bindin përfundimisht se janë në gjendje të luftojnë për të shkuar larg. Tirana shpëton mrekullisht me barazim falë eurogolit të Cobbinah në fund të ndeshjes me Luftëtarin duke siguruar një pikë me vlerë në ecurinë e sezonit dhe motivimin e ekipit. Kastrioti fiton "finalen" e mbijetesës ndaj Kamzës duke treguar se ardhja e Devollit i ka shkundur mirë krutanët.
Newsport ka përzgjedhur sipas skemës 4-3-3 "11-shen më të spikatur të kësaj jave në Kategorinë Superiore.
Portier
Isli Hidi (Teuta): Pa dy pritjet e tij në goditjen Vasil Shkurtajt dhe pritjen e penalltisë në fund të ndeshjes me Kukësin të Cordeiros, Teuta nuk do të kishte arritur ndoshta as ta fitone kryendeshjen e kësaj jave ndaj verilindorëve. Ish-portieri i Kombëtares ka luajtur një rol të madh në ecurinë mbresëlënëse të durrsakëve në këtë sezon. Pavarësisht moshës jo të re, Hidi ka ndërhyrë në momentet më kritike të ndeshjeve të "djemve të detit" duke u dhënë energji për të përmbysur rezultatet si ndaj Tiranës faza e dytë (2-1), me Kukësin faza e tretë (2-1), me Skënderbeun 1-0 dhe Partizanin fazën e dytë 1-1. E sigurtë është që pa zgjedhjen e tij në merkato, Teuta shumë vështirë se do të ndodhej sot në pozicionin e dytë në kampionat.
Mbrojtja
Erlis Frashëri (Teuta): Mbrojtësi i djajthtë i durrsakëve sakrifikon shumë për skuadrën. Edhe pse luan shumë i tensionuar, dëshira e tij për të mos lënë në baltë skuadrën është e madhe. Me besimin e Shkëmbit ai mund të bëjë shumë më mirë në ndeshjet në vijim.
Renato Arapi (Teuta): Pas një fillimi të vështirë me Teutën, qendërmbrojtësi durrsak arriti ta kapte veten në supersfidën me Kukësin duke luftuar fort në prapavijë. E nuhati momentin më të mirë kur Teuta kishte nevojë të triumfonte duke zgjidhur menjëherë pas golit të Prognit ndeshjen duke "fikur" nënkampionët e Shqipërisë. Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe Skënderbeut vjen si zgjidhje e duhur për prapavijën e "djemve të detit".
Artim Pollozhani (Flamurtari) : Ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Flamurtarin ndaj Skënderbeut. Qendermbrojtësi ishte pakalueshëm duke mbyllur çdo sulm të korçarëve. Gjatë gjithë 90 minutave bën vetëm një gabim pasi nuk merret vesh me portierin Kolici. Krasniqi dërgon topin në rrjetë, por ai që i shpëton është Otto John që është në pozicion jashtë loje dhe prek topin që po shkonte drejt portës. Flamurtari nuk pëson gol sërish dhe kjo është edhe për meritë të Pollozhanit që është kthyer në një lider te vlonjatët.
Emiljano Musta (Flamurtari): Ndeshjen e sotme luan si mesfushori i krahut të majtë. Me daljet e tij vë gjithmon në vështirësi mbrojtjen korçare. Performanca e tij shpërblehet në minutat e fundit të ndeshjes, kur arrin të shënoi dhe golin e dytë të takimit duke vulosur kshu fitoren e Flamurtarit. Edhe pse te vlonjatët vazhdon të jetë prezent problemi i pagave po ndikon shumë pak te lojtarët.
Mesfusha
Ndriçim Shtubina (Laçi): Lideri i kurbinasve tregon "dhëmbët" ndaj Partizanit. I mësuar me luftën e ashpër dhe duelet agresive, bën shpëtimtarin dhe flamurtarin e skuadrës në momentin kur alternativat në sulm nuk përgjigjen në fushë. Falë vendosmërisë dhe eksperiencës është bërë shembull për ekipin, të cilët gjithmonë referohen tek ai.
Albano Aleksi (Luftëtari): Futbollisti fierak mendon vetëm të punojë për ekipin dhe të nxjerrë maksimumin nga vetja. Sërish vendimtar pas dy javësh duke i dhënë një pikë të çmuar bluzinjve në një sezon me "simptoma të forta" nga financat e dobëta dhe "eksodin" e lojtarëve në janar. I disiplinuar dhe "zëri" i fortë e ekipit në çdo moment. Meriton të jetë kapiten i Luftëtarit për karakterin që ka.
Ersil Ymeraj (Kastrioti): Mesfushori 24-vjeçar shkodran vendosi "finalen e mbijetesës" ndaj Kamzës duke vulosur tre pikë të rëndësishme. Bën detyrën e sulmuesit, por në mesfushë punon fort në ndërtimin e aksioneve dhe rritjen e presionit në fushë ndaj kundërshtarëve. Interpreton më së miri idetë e teknikut Devolli.
Sulmi
Gerhard Progni (Teuta): Futbollisti i "djemve të detit" meriton të heqësh kapelen për cilësinë e rrallë të golave që shënon. Falë eksperiencës me ekipe pretendente për titull si Skënderbeu, Partizani dhe Kukësin i ka dhënë një tjetër ngjyrë ekipit të Teutës. I frikshëm me krosimet në zonë dhe ekzekutimet e goditjeve të dënimit. Eurogoli i tij mobilizoi ekipin për të fituar takimin delikat me Kukësin.
Andi Ribaj (Flamurtari): Nuk projektohet si titullar për sfidën e sotme ndaj Skënderbeut. Në minutat e fundit një dëmtim i Deliaj detyron trajnerin Daja të aktivizoj nga minuta e parë sulmuesin fierak. Ribaj nuk zhgënjen, është gjithmon një rrezik konstant për mbrojtjen korçare, lufton për çdo top dhe arrin të shënoi golin e avantazhit për skuadrën e tij. Një gol si i një sulmuesit tipik, i vjedh kohën mbrojtësit dhe me kokë dërgon topin sipër portierit. Në fund të ndeshjes merr dhe elozhet nga trajneri Daja i cili e vlersoi maksimalisht paraqitjen e tij duke thënë se me tilla perfomanca në fushë Ribaj do të ketë më shumë minuta në dispozicion.
Winful Cobbinah (Tirana): Merita e Tiranës për barazimin e takimit në fund i takon një pjesë e rëndësishme dhe teknikut Ardian Mema, që i besoi në pjesën e dytë mesfushorit me "nuhatje" sulmuesi Cobbinah. Në minutën e 93-ë, supergoli i tij i bëri të gjithë të festonin në "Selman Stërmasi" dhe në pjesën e dytë freskia e bëri të shpërthente në çdo aksion të bardhebluve.
Trajner
Bledi Shkëmbi (Teuta): Ky sezon futbollistik është një pikënisje impresionuese në karrierën e re si trajner për ish-lojtarin e Skënderbeut. I aftë ta motivojë ekipin në çdo moment, gëzon simpatinë dhe përkrahjen e çdo lojtari të Teutës nga fusha në stol. Të mundësh një Kukës të frikshëm në emra dhe me trajner të sprovuar si Cungu, kjo mund të japë një shtysë Shkëmbit që në të ardhmen të jetë një trajner-kampion, përveçse si futbollist/ NEWSPORT/.