
Besar Musolli është larguar zyrtarisht nga skuadra e Kukësit. Mesfushori i njohur, prej 8 vitesh, pjesë e verilindorëve derdhi djersë, qau, qeshi, ngriti trofe e asnjëherë s'u dorëzua. Madje edhe në çastet më të vështira të karrierës së tij, s'u dorëzua, por arriti të fitonte sërish vendin e titullarit, se zemrën e sportdashësve e kishte fituar me kohë.
Sot vjen momenti më i trishtë, largohet nga Kukësi dhe Superiorja pas 8 vitesh. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai që përmes një letre në rrjetet sociale, emocionon duke përshkruar çdo gjë siç ai e ndjen. E ardhmja e tij do të jetë në vendlindje, i detyruar nga familja do të luajë për Gjilanin.
"Çdo fillim e ka dhe një fund dhe për mua ka ardhur momenti që rrugëtimin me Kukësin dhe Superioren ta mbyll këtu.
Jam i lumtur që në 8 vite tek Kukësi kam arritur të fitoj gjithçka, të derdh lot gëzimi, të ngre trofe dhe të shkruaj historinë në Europë, e mbi të gjitha të mbaj në krah shiritin e kapitenit, i cili për mua peshon shumë. Jam i lumtur dhe ndihem krenar që në çdo stadium ku kam shkelur kam gjetur mikpritjen e të gjithë tifozëve dhe kam pasur respektin e tyre. Nuk kam asnjë fjalë tjetër veç falënderimeve.
Kur kam ardhur në verën e vitit 2012 nuk e kisha menduar se kjo fanellë do më kthehej në një lëkurë të dytë. Nëse do të përmend emra do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur për t'i përmendur të gjithë e nuk dua të harroj askënd. Një falënderim të madhe dhe mirënjohje të pafundme për çdo lojtar dhe pjesëtar stafi që kam pasur fatin e kënaqësinë të punoj, të mësoj e të gëzoj me ju. Nuk mund të mos falënderoj drejtuesit me në krye presidentin Safet Gjici.
Nuk dua të zgjatem, pasi nuk është aspak e lehtë të shkruaj e të flas për një vendim që nuk ishte aspak i lehtë, por i detyruar. Largohem nga Kukësi me respektin maksimal, duke lënë pas vetes një histori që është shkruar me germa të arta e nuk mund ta përshkruaj me fjalë gjithë emocionin që kam ndier. Largohem nga kampionati shqiptar për të qenë pranë familjes, e për t'iu dedikuar fëmijëve të mi.
Në fund, me përulësi, dua të falënderoj çdo tifoz të Kukësit, i cili për gjatë rrugëtimit tim më ka bërë të ndihem i vlerësuar në çdo minutë. Ju jeni dhe do mbeteni gjithnjë në zemrën time, jo si tifozët e mi, por si miqtë e mi dhe ata që më keni qëndruar pranë.
Ka ardhur momenti për të thënë lamtumirë, ama Kukësi do jetë gjithnjë pjesë e jetës time, si epoka më e artë e karrierës time. i juaji, Besar Musolli B.M 23!"
Në 8 vite pjesë e Superiores, Besar Musolli u shqua për karakterin e fortë, tipin e dashur me gjithë miqtë dhe kundërshtarët e fushës së blertë. Me Kukësin arriti të realizonte 2 gola në 201 ndeshje ku u aktivizua.