
Elbasani ka fituar përballë Lushnjës në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me triumfin 3-1 të vendasve. Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV ka folur trajneri i Elbasanit, Nevil Dede.
“Një nga problematikat tonë në çdo ndeshje është që ne pësojmë gol. Topi lëvizite ngadalë, dhe kjo nuk më kënaq si trajner. Jemi në muaj Ramazani dhe lojtarët janë me agjërim dhe konsumojnë shumë energji”, u shpreh fillimisht Dede
“Disa lojtarë nuk janë në gjendjen e tyre optimale. Vuajtëm me Kasën dhe Hilën. E kishim ndeshjen nën kontroll, por Lushnja gjithmonë na ka hapur probleme. Dua të përgëzoj Edon Hasanin, përveç golit ishte një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes. Unë nuk e prisja kaq të qetë dhe të qartë në çdo lëvizje të topit. Gjithsesi ajo që më pëlqen është që skuadra reagon. Është e bukur për tifozët dhe lajm mediatik, por mua më shqetëson disi kur pësojmë të parët. Morëm një fitore që për mua ka vlera. Jemi në vendin e parë dhe djemtë duhet ta kuptojnë mirë të tregojnë kush janë dhe çfarë cilësish kanë.
Të jem i sinqertë Hila nuk është se nuk po përshtatet, pasi është një lojtar që ka bërë emër në futbollin shqiptar. Sot ka bërë ndeshje të mirë, por duhet të mësohet të jetë në funksion të skuadrës. Këtë i thashë pasi kisht edhe shiritin e kapitenit. Fillimisht ai duhet të bëntë rotacion me Leo Melon dhe Lleshin. Prandaj kishim pakëz vuajtje. Kur i dhashë Hilës hapësirën tjetër duke e lënë në rolin e 10shit bëri mjaft mirë. Por ai dhe gjithë skuadra duhet të kuptojnë, që të vrapojnë dhe të jenë në funksion të skuadrës. Kur vjen fundi i kampionatit dhe ti je në objektiva të realizuara, ti thua kur do mbarojë. Por me këtë ambient duhet të tregojmë se jemi më të mirët. Me investimet që ka bërë presidenti, duhet të mburren. E ardhmja? Jemi në diskutime me presidentin dhe administratorin. Mendoj se do të vazhdojë bashkëpunimi. Dua dhe unë të lë një shenjë të mirë në këtë qytet”, mbylli fjalën e tij trajneri i Elbasanit.