Supersfida e javës së 8-të e Kategorisë së Parë, ajo midis Flamurtarit dhe Elbasanit përfundoi me fitoren e vlonjatëve në shtëpi me rezultatin 2-1. Një fitore mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë të cilët ngjiten në vendin e 3-të me 15 pikë, ndërsa “Tigrat” mbeten në vendin e 2-të me 16 pikë të grumbulluara.
Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV foli trajneri i Flamurtarit, Emiliano Çela.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë duke ditur kualitetin e Elbasanit. E doja 1 gol pasi e kemi merituar dhe kemi bërë një lojë të mirë. Përpos këtyre, jam shumë i kënaqur nga ekipi, nga agresiviteti që treguan. Një ndeshje që ishte një pikë kyçe për momentin ku ne jemi. Vinim pas rezultateve të mira. Kjo fitore premton dhe rrit besimin”, u shpreh Emiljano Çela.
-Çelësi i kthesës pasi nuk e nisët mirë, por tashmë jeni shumë mirë?
“Puna e vazhdueshme, mënyra e punës time se si unë i mbaj lojtarët larg nga presionet e brendshme apo të jashtme. Nuk ka çelsës të veçantë përveç punës. Nëqoftëse i vini re të gjitha ndeshjet, ekipi gjithmonë ka dominuar.”
-Meqënëse Bylisi është në vendin e parë…në janar ke nevojë për të bërë përforcime që të ndërroni vendet?
“Jam i kënaqur me këta lojtarë. Nga ky ekip jam i kënaqur. Edhe çunave ia u them gjatë gjithë kohës. Siç e vazhdova me këtë grup ashtu dua ta mbyll.”
-E shikon Flamurtarin kampion dhe cila është pengesa për ju?
“Unë e shikoj Flamurtarin kampion. Punojmë çdo ditë me seriozitet. Ekipi më ndjek. Po kënaqemi me këtë lloji mënyre loje që po kërkojmë. Gara është shumë e vështirë pasi janë ekipe si Bylisi apo Elbasani. Por mendoj që ashtu si ne edhe Bylisi do të ketë ulje-ngritje.”
-Presionet e brendshme dhe të jashtme?
“Gjatë gjithë kohës për një ekip profesionist kërkesat janë të larta. Jemi të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Jemi nga ekipet që së bashku me Elbasanin kemi buxhetin më të lartë. Por duke pasur buxhet të lartë nuk do të thotë që je pretendent, por duhet të punojmë.”
