Ditën e premte në stadiumin “Air Albania” do të luhet supersfida e Kategorisë Superiore mes Kukësit dhe Tiranës. Dy klubet janë rivalët kryesor për titull këtë sezon, të cilat ndajnë vendin e parë dhe të dytë vetëm me 1 pikë diferencë ndërsa janë të shkëputura nga Partizani i vendit të tretë me 4 pikë Tirana dhe 5 pikë Kukësi.
Të dyja ekipet vijnë nga rezultate tepër pozitive në javët që kemi lënë pas, ndërsa në javën e kaluar askush prej tyre nuk dëshiroi të fitonte për t’u shkëputur në krye, por barazuan me kundërshtarët e tyre, për të lënë gjithçka të hapur në një finale të parakohshme.
Kukësi këtë sezon ka shënuar 35 gola, ndërsa Tirana 38 të tillë. Verilindorët janë mbrojtja më e mirë në Superiore me 16 gola të pësuar ndërsa bardheblutë kanë pësuar 23 gola. Në kampionat Kukësi i ka fituar tre përballjet e fundit, ndërsa Tirana fitoren e fundit e ka 1 vit më parë po në transfertë. Më 10 shkurt 2019, Tirana do të fitonte 0-1 fal golit të Dokës. Ndërkohë Kukësi fitoren e fundit e ka në Tiranë, ku përmbysi golin e Hasanit me tre gola të sulmuesve të tyre, Shkurtaj, Gavazaj dhe Abazaj.
Sfida e së premtes do të jetë tepër emocionuese dhe interesante kjo për shkak se për të dyja ekipet është si një finale e parakohshme për kreun e renditjes. Ekipet duken se nuk i tremben njëra-tjetrës, teksa Kukësi guxon të luajë në kryeqytet aty ku shumica e tifozëve janë bardheblu, sfidën më të nxehtë të këtij kampionati.