Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

FACENEWS

INTERVISTA/ Nga futbolli te auditorët e ligjit, historia e jashtëzakonshme e profesorit të Fakultetit të Drejtësisë, Skerdian Kurti rrëfen të pathënat: Penalltinë e humb vetëm ai që guxon

Shkruar nga NEWSPORT
INTERVISTA/ Nga futbolli te auditorët e ligjit, historia e
Skerdian Kurti, profesor i Fakultetit të Drejtësisë

Ka histori që tregohen me shifra, me statistika e me fakte. Por, ka edhe të tjera që ndihen në shpirt, sepse burojnë nga pasioni dhe përkushtimi i një jete. Historia e profesor Skerdian Kurtit është një prej tyre. Ngjarje që jetojnë në simbiozë me njëra-tjetrën, aty ku futbolli dhe akademia ecin krah për krah, ku ëndrrat fëmijërore për lojën më të bukur në botë gërshetohen me përkushtimin për dijen dhe drejtësinë.

Në vitet e tij të hershme, teksa ndiqte me babanë e vet ndeshjet e Naftëtarit të Kuçovës, nuk e dinte se jeta do ta vendoste para një zgjedhje të vështirë. Një top futbolli, një fushë e gjelbër dhe një pasion i zjarrtë. Këto ishin fillimet e tij, momentet e para ku ndjeu se futbolli nuk do të ishte thjesht një lojë, por një pjesë e pandarë e qenies së tij.

Në gushtin e vitit 1995, ai veshi për herë të parë fanelën e një ekipi profesionist duke debutuar në Kupën e Shqipërisë në moshën 15-vjeçare. Ishin vite të vështira për futbollin shqiptar dhe jo vetëm, vite trazirash dhe sfidash të panumërta. Megjithatë, ai vazhdoi të ndjekë rrugën e tij me përkushtim, duke balancuar studimet dhe futbollin. Por, jeta si në sport, është e paparashikueshme. Një dëmtim, fillimisht i parëndësishëm, më vonë u shndërrua në një pengesë të pakapërcyeshme. Ëndrra për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit mori një goditje të rëndë, dhe ai u detyrua të largohej nga futbolli profesionist. Por, nuk u dorëzua. Sepse pasioni nuk shuhet lehtë, thjesht gjen rrugë të tjera për të jetuar.

Kështu, profesor Kurti e orientoi dashurinë e tij për rregullat dhe disiplinën drejt një tjetër fushë, asaj të ligjit dhe kriminologjisë. Sot, Profesor Skerdian Kurti është një nga pedagogët më të respektuar në Fakultetin e Drejtësisë. Po futbolli? Ai nuk është thjesht një kujtim i largët. Ai është ende aty, në zemrën e tij, në çdo metaforë që përdor për të motivuar studentët, në çdo analizë për ndershmërinë në sport dhe në çdo ndeshje që luan me kolegët dhe miqtë.

Në këtë intervistë, ai na fton të udhëtojmë mes dy botëve të tij, fushës së gjelbër dhe auditorëve të universitetit. Si ndikon futbolli në edukimin e një shoqërie? A mund të shërbejë sporti si një mjet për drejtësi dhe disiplinë? Dhe mbi të gjitha, çfarë mund të mësojë brezi i ri nga loja që ai aq shumë e do? Përgatituni për një rrëfim të sinqertë ekskluzivisht për Newsbomb.al, të mbushur me pasion, sfida dhe mësime që vlejnë jo vetëm në futboll, por edhe në jetë! Sigurisht qershia mbi tortë mbetet gjithmonë në fund, analiza për Kombëtaren para dy sfidave të para kualifikuese për Botërorin!


- Futbolli duket se është një pasion i madh për ju. Si filloi kjo dashuri për sportin më të ndjekur në botë?

E vërtetë është, futbolli është pasioni më i madh për mua dhe ka filluar qysh herët, në moshë të vogël, kur babai vendosi të më regjistronte në një klasë sportive futbolli dhe të më merrte në stadium për çdo ndeshje që skuadra e qytetit tim të lindjes Naftëtari i Kuçovës luante në shtëpi. Ishin vitet 80’, Naftëtari luante në kategori të parë (Superiorja e sotme) dhe kishte një skuadër të shkëlqyer por që për fat të keq u shpërbë në 1988 pas rebelimit të tifozëve ndaj padrejtësive që u bënë në kurriz të kësaj skuadre. Qysh prej asaj kohe, futbolli dhe studimi kanë qenë dhe janë bashkëudhëtarët e mij të pandarë. Në gusht të vitit 1995, kur isha 15 vjeç kam bërë debutimin në futbollin profesionist në Shqipëri, ka qenë ndeshje e Kupës së Shqipërisë, Naftëtari vs Tomori. Kanë qenë vite të vështira të futbollit në Shqipëri dhe gjendja u përkeqësua në 1997, në vitin e trazirave. Në tetor të këtij viti fillova studimet universitare për financë në Fakultetin e Ekonomisë (UT) dhe vazhdoja njëkohësisht studimet dhe futbollin. Fatkeqësisht në vitin 1998 gjatë një ndeshje futbolli pësova një dëmtim, që me kalimin e kohës u bë kronike dhe më detyroi që të hiqja dorë nga futbolli profesionist por jo nga dashuria dhe pasioni që kisha për këtë sport. Kur u transferova me studime në Itali kam luajtur futboll amator dhe kam përjetur shumë kënaqësi që vetëm futbolli di ti dhurojë.   

- A keni një skuadër që simpatizoni dhe një moment të paharrueshëm që lidhet me të?

Skuadra që simpatizoj kam disa: Naftëtari, Tirana, Sampdoria, Inter por mbi të gjitha qëndron Kombëtarja Shqiptare e Futbollit. Moment i paharrueshëm, të paktën deri më sot, ka qënë ndeshja debutuese e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Kampionatin Evropian të vitit 2016 kundër Zvicrës dhe pavarësisht humbjes ato emocione janë të paharrueshme.

- Nëse futbolli do të ishte një rast studimor në fushën e kriminologjisë, çfarë “rekomandimesh” do të kishit për shkelësit e rregullave në shoqëri?

E bukur kjo pyetje (qesh)… për mendimin tim sporti në përgjithësi dhe futbolli në mënyrë të veçantë, luan një rol të rëndësishëm në forcimin e shkaqeve që frenojnë prirjet për të thyer rregullat në shoqëri. Futbolli është një lojë me rregulla dhe shpirti i futbollit është stërvitja, kush stërvitet rregullisht dhe edukohet me zbatimin e rregullave të lojës do të ketë më pak probabilitet për tu përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.

- A përdorni ndonjëherë metafora nga futbolli gjatë mësimdhënies?

Po, në shumë raste dhe kjo për të motivuar studentët me qëllim që ata të japin më të mirën e tyre: për shembull, në disa raste kur diskutohet për tema delikate studentët hezitojnë të japin qoftë edhe mendimin e tyre dhe për ti motivuar u them … “penalltinë e gabon kush merr guximin për ta gjuajtur” … me pak fjalë, duhet të flisni se po nuk folët nuk gaboni dhe nuk keni mundësi për t’u korrigjuar me qëllim që të mos dështoni në ndeshje zyrtare (provim).

- Në mësimdhënie, a ka situata që ju kujtojnë një trajner futbolli dhe mënyrën si ai drejton ekipin e tij?

Gjithmonë dhe kjo për shkak se studentëve u them që në orën e parë të mësimit se leksionet janë si seanca stërvitore që ju përgatisin për të qënë të suksesshëm në ndeshjet zyrtare (kolegiume, detyra kursi, provime); kush stërvitet (mëson) rregullisht, duron vështirësitë që shoqërojnë këtë proçes, bashkëpunon me shokët për të rritur aftësitë personale, në fund është e sigurt që do të bëjë figurë të mirë, për veten në radhë të parë por edhe për mua me qëllim që të më tregojë se “taktika” e ndjekur në përgatitjen e tyre ishte ajo e duhura.

- Çfarë këshille do t’u jepnit studentëve që aspirojnë të jenë të suksesshëm, duke marrë shembull nga futbolli apo nga jeta akademike?

Frekuentoni universitetin, ndiqni leksionet dhe seminaret, studioni me vullnet të hekurt dhe bëhuni të durueshëm gjatë studimit, mos harroni jetën sportive krahas asaj universitare, ndihmoni njeri tjetrin dhe bëni një jetë të shëndetshme sociale dhe rezultatet nuk do të vonojnë.

- Si arrini të balanconi jetën akademike me pasionin për futbollin?

Unë jam i mendimit se pa sport nuk mund të ketë jetë të shëndetshme akademike. Çdo universitet duhet të ketë qëndrën e vet sportive që duhet të organizojë aktivitete të ndryshme për të gjallëruar jetën studentore. Balancimi i jetës akademike me futbollin, për mua, është shumë e thjeshtë pasi që në fëmijëri, të dyja këto drejtime kanë qenë të pandara dhe më kanë shoqëruar përgjatë gjithë kohës. Edhe kur kam qenë student, në Shqipëri apo në Itali, kam luajtur gjithmonë futboll por edhe tani që jap mësim në universitet luaj vazhdimisht futboll dhe një pjesë e “futbollistëve” të skuadrës time apo të skuadrës kundërshtare janë ose studentët e mij ose kolegë që ashtu sikurse unë e kanë pasion të madh futbollin. Me pak fjalë futbolli e ndihmon jetën akademike për të mos ndjerë presionin dhe lodhjen e madhe të kërkimit shkencor.

- Në rrjetet sociale shpesh ndani momente që lidhen me futbollin. Çfarë ndikimi ka kjo në mënyrën si ju perceptojnë studentët dhe miqtë apo dhe ndjekësit tuaj?

Nuk mendoj se kjo përbën ndonjë problem, futbolli ka qënë dhe është sporti më popullor në botë, shumica e njerëzve janë tifozë të skuadrave të caktuara dhe në bisedat e përditshme, në shumë raste, përbën temën më të rëndësishme. Fakti që unë shkruaj për futbollin mund të mendohet edhe si një thirrje, në mënyrë indirekte për të lënë të gjitha veset e këqia dhe për t’u përfshirë më shumë në sport, krahas punës, studimit dhe përkushtimit në familje.

- Çfarë mendoni për rastet kur sporti dhe ligji ndërthuren, si në situata me huliganizmin ose korrupsionin në futboll?

Këto janë situate të pakëndshme, që nuk duhet të ndodhin pasi hedhin baltë dhe largojnë njerëzit nga aktivitetet sportive dhe në mënyrë të veçantë nga futbolli. Problemet e kriminalitetit dëmtojnë shoqërinë dhe sporti është një mënyrë për të tërhequr njerëzit drejt aktivitetit fizik që përmirëson shëndetin dhe trurin duke rritur cilësinë e jetës dhe duke i bërë njerëzit të mendojnë dhe veprojnë pozitivisht. Nga ana tjetër, situatat e paligjshme në futboll dëmtojnë sportin duke favorizuar edhe shtimin e rasteve të jashtëligjshme në jetën e përditshme pasi shërbejnë si shembull i keq për mënyrën se si duhet të sillemi në shoqëri. Me pak fjalë edhe huliganizmin edhe korrupsionin në futboll e dënoj pa asnjë diskutim.

- Nëse do të kishte një “kod penal” vetëm për futbollin, cila do të ishte “vepra penale” që do të donit të kishte dënimin maksimal?

Dënime të ashpra do të kërkoja për të gjitha ato sjellje të paligjshme që në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në manipulimin e rezultatit real të ndeshjeve dhe mund të përmend këtu: korrupsionin aktiv dhe pasiv të arbitrave dhe vëzhguesve apo edhe kërcënimin e tyre, shitblerjet e ndeshjeve nga aktorët e futbollit (lojtarët, trajnerët, presidentët), huliganizmin. Ndërsa në radhë të dytë do të rëndisja, falsifikimin e bilanceve të shoqërive futbollistike dhe ndërhyrjet në organet e drejtësisë sportive.

- Si profesor i kriminologjisë, a mendoni se futbolli ka një fuqi transformuese për shoqërinë, njësoj si një ligj i drejtë?

Po e vërtetë, futbolli është mjaft popullor dhe ka ndikim të madh në shoqëri. Organizimi i pastër dhe i rregullt i aktiviteteve futbollistike shërben si shembull që duhet ndjekur nga njerëzit në përditshmërinë e tyre dhe kjo përkthehet në shoqëri të drejtë, me më pak probleme.

- Në futbollin ndërkombëtar, shpesh flitet për drejtësi në lojë dhe gjykime të drejta nga arbitrat. Si profesor i së drejtës, si e shihni këtë koncept në raport me futbollin?

Drejtësia është themeli i organizmit të shoqërisë, pa drejtësi nuk ka jetë të qetë, nuk mund të ketë pendim për sjellje të paligjshme dhe do të bien pothuajse të gjithë faktorët që frenojnë kryerjen e këtyre sjelljeve. Le të imagjinojmë një arbitër të korruptuar që jep ndihmë psikologjike për ekipin që ka marrë përsipër të favorizojë (kartona të verdhë për kundërshtarin, faulle të paqëna për ekipin e tij, mosdhënia e faulleve për kundërshtarin) apo që dukshëm jep penallti që nuk ekzistojnë apo akordon gola të parregullt, çfarë do të prodhojë?? Zemërim dhe dhunë momentale, nxitje për kryerjen e këtyre sjelljeve të paligjshme edhe nga ato skuadra që mbështeten tek zbatimi i rregullave, ndikim tek një pjesë e madhe e popullsisë për paligjshmëri dhe thyerje të rregullave. Sporti duhet të jetë meritor përndryshe do të ketë më shumë probleme sesa dobi.

- Ndeshjet e rëndësishme shpesh sjellin tensione dhe emocione të forta mes tifozëve. Si mund të edukohen tifozët shqiptarë për të ruajtur një frymë sportive, edhe kur rezultatet nuk janë ato që presim?

Kjo është e vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për futbollin dhe emocionet që të përcjell futbolli. Kjo gjë nuk ka të bëjë me edukimin por me mënyrën e menaxhimit të emocioneve që në të shumtën e rasteve është e paparashikueshme. Pranimi i rezultatit është ilaçi për të tilla situata.

- Në historinë e Kombëtares sonë ka pasur momente të bukura dhe sfida të vështira. Cili është mësimi kryesor që shoqëria shqiptare mund të nxjerrë nga përpjekjet e ekipit tonë kombëtar?

Kombëtarja jonë është një skuadër që ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe përpiqet vazhdimisht të rritet gjithnjë e më tepër. Pikërisht ky është mësimi më i mirë i mundshëm edhe për shoqërinë tonë: të kërkojë të përmirësohet, pavarësisht vështirësive të shumta që po kalon, me qëllim që të mbajë lart emrin e atdheut tonë të dashur Shqipërisë.

- Çfarë do të thoshte për Shqipërinë një pjesëmarrje në Botërorin 2026, si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ajo kombëtare?

Nga pikpamja sportive do të thoshte vërtet shumë pasi do ta shpinte kombëtaren tonë në një nivel tjetër dhe do të rriste akoma më shumë vetbesimin e futbollistëve tanë për sfidat e ardhshme. Nga pikëpamja kombëtare do të na bënte tepër krenarë dhe dihet se çfarë mrekullie jemi ne shqiptarët kur shfaqim krenarinë e kombit tonë.

- Nëse Kombëtarja do të kualifikohej në Botëror, cili do të ishte mesazhi juaj për lojtarët dhe tifozët?

Kualifikimi në Botëror, duke parë skuadrat e grupit ku bëjmë pjesë, duket i vështirë por “kurrë mos thuaj kurrë”. Nëse do të ndodhte diçka e tillë, më mirë të flasim përsëri për këtë gjë në momentin që do të ndodhë.

- Cilat janë tre gjërat që Kombëtarja duhet të përmirësojë për të pasur sukses në këtë rrugëtim?

E para është konsolidimi i grupit, duhet të jenë “të gjithë për një dhe një për të gjithë” dhe sidomos nuk duhet të ketë, në asnjë mënyrë, qefmbetje me zgjedhjet e trajnerit pasi nuk po luajnë për klubet por për kombin e tyre dhe për kombin pranohet gjithçka. Të gjithë ata që do të thërriten për të luajtur janë njësoj dhe asnjë nuk është më i mirë se tjetri, gjithashtu edhe ata që për zgjedhje të trajnerit nuk do të thërriten nuk duhet të bëjnë polemika por të vazhdojnë të stërviten dhe të luajnë mirë në skuadrat e tyre me qëllim që ta vënë në vështirësi trajnerin kur të bëjë zgjedhjet.

E dyta është të mësojmë të vuajmë, të durojmë deri në fund por pa u dorëzuar dhe të godasim kundërshtarin sidomos atëherë kur ai nuk e pret.

E treta është mungesa e cinizmit dhe kemi nevojë urgjente për të përmirësuar këtë difekt në lojën e kombëtares tonë. Kjo tregon papjekuri dhe mungesë besimi në aftësitë tona. Në ndeshjen me Anglinë do të kemi pak raste, edhe për vetë mënyrën e lojës që do të zgjedhë trajneri, mbrojtje dhe kundërsulme. Pikërisht duhet të shfrytëzojnë ato pak raste që do të na krijohen për të marrë rezultate positive. Të shohim se sa jemi rritur si skuadër.

- Sipas mendimit tuaj, kush do të ishte skema ideale dhe lojtarët e duhur për këtë skemë në Kombëtaren tonë?

Skema dhe përzgjedhja e lojtarëve, në fakt, i takojnë trajnerit dhe vendimet e tij nuk mund të diskutohen pasi është ai personi që mban përgjegjësi sido që të rrotullohen gjërat. Nga ana tjetër dua të them se skemat dhe përzgjedhja e lojtarëve mund të ndryshojë në varësi edhe të kundërshtarit. Megjithatë, si tifozë i zjarrtë i Kombëtares do t’ja lejoja vetes një përzgjedhje të lojtarëve dhe për pasojë një skemë të mundshme, duke u mbështetur në gjendjen e tyre aktuale në kampionatet në të cilat luajnë.

Në portë STRAKOSHA;
në mbrojtje KUMBULLA, AJETI, DJIMSITI;
në mesfushë nga e majta MITAJ, në qendër ASLLANI, BERISHA, SELAHI. Nga e djathta, A. HOXHA,
në sulm ASANI, MANAJ
Kjo përzgjedhje (3 – 5 – 2) nuk do të thotë që kjo është skema që unë preferoj por duke parë që shumë nga lojtarët tanë për momentin kanë ose dëmtime ose probleme me ekipet ku janë mendoj që kjo është skema më e mirë. Dua të theksoj se lojtarët e tjerë si DAKU, MUÇI, N. BAJRAMI. LAÇI, RAMADANI, SEFERI, BALLIU, UZUNI, TUCI, A. BAJRAMI, FETA, MIHAJ, MUJA, MEHMETI dhe gjithë të tjerët që nuk i kam përmendur, nuk janë rezerva për shkak se nuk e meritojnë të jenë titullarë por për shkak se nëse ne do të jemi në vështirësi do të duhen lojtarë që të futen dhe të bëjnë ndryshimin e lojës.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga