
Eliminimi nga Kupat e Europës, konkretisht nga UEFA Europa League pritet të sjellë një fortunë të fortë te Kukësi.
Skuadra verilindore nuk ia doli të kalojë pengesën e parë, Debrecenin dhe kjo zemëroi së tepërmi presidentin, Safet Gjici. Numri 1 i klubit ia adresojë përgjegjësitë e eliminimit, Ernest Gjokës, të cilin e shkarkoi në të gdhirën e së premtes.
Pas teknikut kryeqytetas u largua dhe mesfushori, Arbër Çyrbja, teksa gjurmët e tij pritet t'i ndjekin edhe shumë të tjerë. Plot 6 futbollistë janë tashmë pa kontratë te Kukësi, që pritet të përballet me një eksod të vërtetë. Stivi Frashëri, Ylli Shameti, Ardian Cuculi, Simon Rrumbullaku Besar Musolli dhe Valdet Rama janë lojtarët që presin të vendosin për të ardhmen.
Kukësi është një alternativë për ta, por kushtet e vendosura prej tyre nuk mund të bindin Gjicin, që ka premtuar të paktën edhe 3-4 blerje gjatë kësaj merkato vere. Gjithsesi, nëse do të afroheshin 4 lojtarë por do të largoheshin 6, te Kukësi do të kishte mungesa të theksuara, sidomos në repartin e mbrojtjes, pasi 3 prej tyre kanë gati valixhet.