Mbrëmje e errët për futbollin shqiptar. Tre skuadrat që përfaqësonin sot Shqipërinë në arenën ndërkombëtare janë eleminuar nga Conference League. Laçi, Tirana dhe Vllazninë kanë humbur kundër kundërshtarëve respektivë, duke bërë që Europë të jetë një ëndërr e largët.
Në 19:30, Vllaznia u mposht 3-0 në Rumani nga Universitatea Craiova, duke bërë që shkodranët e Mirel Josës mos kalojnë asnjë tur këtë verë të nxehtë europiane.
Nga ana tjetër, edhe Tirana ka humbur 3-2 me Zrinjski në Bosnjë, duke bërë që aventura të përfundojë këtu. Kampionët e Bosnjës u treguan më të zotë se kampionët tanë, duke na dhënë leksione se edhe nga një shtet me futboll në nivele më të ulëta sa i takon klubeve, mund të trimfosh me shpirtin në fushë.
Kolaps edhe për Laçin, që u mposht 1-4 në Elbasan nga moldavët e Petrocub kur askush nuk e priste. Pjesa e parë perfekte dhe goli i Mazrekaj dhanë shpresa për kualifikim, ndërsa në 45 minutat e dyta kurbinasit u shpërfytyruan duke pësuar katër gola.
Veç Laçit, Tiranës dhe Vllaznisë, edhe Partizani u eleminua javë më parë nga Saburtalo. Mesa duket Europa e futbollit nuk do hapë negociatat as këtë edicion për klubet shqiptare, që prokllamuan me të madhe një vend në grupe.