
Xherdan Shaqiri kaloi në avantazh Zvicrën ndaj Skocisë, teksa në minutën e 26-të gjeti rrugën e rrjetës. Lojtari me origjinë shqiptare me këtë gol vendos rekord, pasi bëhet futbollisti vetëm që shënon në 3 Europiane dhe 3 Kupa Bote rresht.
Pas sfidës e cila përfundoi 1-1 mes tyre, Shaqiri foli për mediat. 32-vjeçari theksoi se turne të tillë janë krijuar enkas për të që të vendosë rekorde.
“Ishte një gabim i kundërshtarit që e shfrytëzova maksimalisht. Mendova se thjesht duhet ta gjuaja në këndë. Ishte një goditje perfekte.
Është një gol shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Ne donim të fitonim. Ngjarjet dhe ndeshjet e mëdha janë krijuar për mua.
Familja ime tani pret që unë të shënoj një gol të tillë në çdo turne. Por unë qëndroj në tokë, dua të ndihmoj skuadrën. Ndaj Skocisë arrita ta bëj këtë.
Rekordet dhe statistikat janë të këndshme për t’u parë, shpresoj që ato të mbeten në kujtesën tuaj përgjithmonë. Ishte intensive ndaj Skocisë dhe në fund të ditës ishte një barazim i drejtë”, përfundoi Shaqiri.