
Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur sërish nga UEFA. Institucioni më i lartë i futbollit europian ka caktuar gjobë prej 30 mijë eurosh për shkak të sjelljeve raciste në ndeshjen me Kroacinë.
Po ashtu tifozët shqiptarë janë dënuar me 1 ndeshje mungesë në transfertën e radhës zyrtare në Europë. Ky dënim është pezulluar për një periudhë 2-vjeçare ku tifozët mund ta shlyejnë me sjellje të rregullt në stadium.
FSHF e ka pësuar kështu nga tifozët kuqezi, duke u gjobitur në të treja ndeshjet, përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. Edhe pse tifozët shqiptarë ishin magjikë, UEFA nuk i ka falur për hyrjet në fushë, thirrjet kundër serbëve apo ndezjen e mjeteve piroteknike brenda stadiumit.
Të gjitha këto janë bërë bashkë dhe shuma e gjobës së Shqipërisë gjatë 3 ndeshjeve është mbi 200 mijë euro. Vetëm Kroacia është gjobitur më shumë.