
Gjermania do të luajë përballë Spanjës supersfidën e fazës çerekfinale të Euro 2024. Të dyja ekipet kërkojnë fitoren, teksa ‘lufta’ mes lojtarëve ka nisur në distancë jashtë fushës së blertë.
Si fillim ishte ish-sulmuesi i Real Madrid, Joselu i cili ‘thumboi’ Toni Kroos duke thënë që ditën e premte ky i fundit do të pensionohet. Teksa, mesfushori gjerman i është përgjigjur menjëherë, duke u shprehur se nuk mendon se ajo ndaj Spanjës do të jetë ndeshja e fundit për të.
“Jemi në çerekfinale dhe mendojmë vetëm për të triumfuar në fund. Ne kemi një dëshirë të madhe për të ecur përpara dhe jemi të bindur se mund ta bëjmë edhe pse përballë do të kemi një skuadër si Spanja. Ata janë një ekip shumë i mirë dhe besoj se do të jetë një ndeshje e madhe.
Joselu tha se kjo do të jetë ndeshja e fundit për mua? E njoh shumë mire, por këtë dëshirë ia lë atij dhe do të bëjmë gjithçka që të mos realizohet. Unë e ndjej se nuk do të jetë ndeshja ime e fundit, ndaj ne do të shihemi sërish”, ishin fjalët e Toni Kroos i cili do të pensionohet nga futbolli pasi të përfundojë aventurën me Gjermaninë e tij.