Diogo Costa vendosi firmën e tij në kualifikimin e Portugalisë në çerekfinalen e Euro 2024. Gardiani ia doli të priste 3 penallti rresht, duke “hipnotizuar” kështu lojtarët e Sllovenisë. Portugezët ia dolën të kualifikohet pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt u mbyll 0-0.
Costa ka treguar emocionet e tij pas kësaj sfide, teksa është shprehur se kjo mbase do të jetë ndeshja më e mirë në karrierën e tij. Ndër të tjera zbulon se ia doli me sukses të lexonte gjuhën e trupit të lojtarëve kundërshtarë dhe në këtë mënyrë u priti penalltitë.
“Kur prita rastin e Sesko, mendova se mund ta bëja, lexova gjuhën e trupit të tij dhe arrita të ndihmoja ekipin. Kjo është ndoshta ndeshja më e mirë e jetës sime. U fokusova në atë që duhej të bëja.
Natyrisht ne kishim analizuar penalltitë, por lojtarët ndryshojnë dhe ata ndryshojnë mënyrën e gjuajtjes, jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që kam ndihmuar skuadrën, të gjithë e kemi ndjerë se duhet të vazhdojmë të besojmë pas penalltisë – besuam deri në fund dhe të gjithë jemi shumë të lumtur”, ka përfunduar gardiani luzitan.