
2500 euro, 1500 euro, e 1000 euro…Këto janë çmimet që ka vendosur sivjet Bashkia e Tiranës për Maratonën e Tiranës, që do të zhvillohet në kryeqytet në 15 tetor.
Ndaj duket se me këto çmime goxha të mira për kategorinë femra e meshkuj, për gjysmën e maratonës apo maratonën e plotë, kanë nxitur shumë të rinj e të reja, jo vetëm të kryeqytetit, por edhe nga rrethet, të regjistrohen në këtë konkurim sportiv të organizuar nga bashkia e Tiranës duke klikuar këtu.
Drejtoresha e eventeve dhe e sportit në Bashkinë e kryeqytetit, Julinda Dhame, në një prononcim për newsport.al thotë se gjithçka do të jetë më e bukur se Maratona e vjetshme.
“Shoh një interesim të madh për të marrë pjesë në këtë kompeticion. Deri tani, numri I të rregjistruarve ka arritur në 1500 persona, por presim edhe regjistrime të tjera.
Këtë vit kemi filluar punën edhe me grupe trajnimi, sidomos nga parku I Liqenit, për të ndihmuar të gjithë ata që duan të jenë pjesë e maratonës dhe të garojnë atë ditë. Mbeten edhe 23 ditë, jemi duke u marrë me detajet e fundit organizative, por mendoj, se gjithë organizimi, do të jetë perfekt.
Çdo detaj po ndiqet me vëmendje nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, dhe kjo Maratonë, në vitin e saj të dytë, do të jetë një impuls më shumë për të kthyer jetën sportive të kryeqytetit” tha Dhame për newsport.al.
Newsport.al do të jetë media partner për Maratonën e Tiranës, një maratonë që do të zhvillohet në 15 tetor, dhe këtë radhë brenda kryeqytetit, duke ngritur siparin nga sheshi “Nënë Tereza”. /NEWSPORT.AL/
Regjistrohuni në linkun http://maratonaetiranes.al/