Enigma e parë u zgjidh, tashmë Kategorisë Superiore i ka mbetur të zgjidh edhe dy X-sat e tjerë. Konkretisht, skuadrat që do të shoqërojnë skuadrën e Partizanit në Kupat e Europës dhe skuadra që do i bashkohet Kamzës, në kategoritë më të ulëta të futbollit në vend.
Kukësi është skuadra më e avantazhuar, me verilindorët që numërojnë 6 pikë më shumë nga vendi i katërt, kur kanë mbetur edhe 9 pikë në dispozicion. Pra, java e 34 e Kategorisë Superiore pritet të zgjidh edhe skuadrën që do të shpallet nënkampione e vendit.
Ndërkohë, në garë për vendin e 3-të janë plot 4 skuadra. Me Teutën që aktualisht është në zonën që të dërgon në Europë, distanca me vendin e katërt, Laçin është vetëm 2 pikë. Tre pikë nga vendi i 3-të është Flamurtari i vendit të 5-të, ndërkohë që në 3 javët e mbetura, Skënderbeu kërkon të ngushtojë distancën prej 5 pikësh me durrsakët.
Edhe gara për mbijetesë është e fortë. Plot 3 skuadra duan të shmangin “turpin”. Luftëtari, Tirana dhe Kastrioti janë ata më të rrezikuarat, me krutanët që aktualisht janë në zonën që të dërgon më poshtë. Pesë janë pikët që i ndan me gjirokastritët, ndërsa vetëm 2 pikë bëjnë diferencën me kryeqytetasit, rivalja e saj këtë fundjavë.
Në rast të një fitoreje të bardhebluve, Kastrioti do i kishte të pakta shansat për të mbijetuar, ndërsa fitorja e krutanëve do komplikonte së tepërmi garën për 24 herë kampionët e vendit dhe ndoshta edhe të bluzinjve. Praktikisht 8 skuadra për të vulosur një sezon që ndoshta nuk ka qënë më i bukuri i mundshëm, por ka dhuruar spektakël në tabelë. / Newsport.al
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.