
Penalltia e parë e Dejvi Bregut kundër Bylisit nxiti mjaft reagime në vendin tonë, ku ishin të shumtë ata që u shprehën kundër 11-metërshit që u shndërrua në gol nga vetë vlonjati. Fitorja e Skënderbeut 3-2 në një fushë të vështirë si ajo e Ballshit ka befasuar të gjithë sportdashësit.
Për rastin në fjalë të vlonjatit, ka folur edhe drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç. Në një prononcim për Newsport.al, ai u shpreh se penalltia ishte e pastër, madje theksoi se një ndërhyrje e tillë në të gjithë botën ndëshkohet me 11-metërsh.
"Kam dëgjuar dhe kam lexuar shumë reagime për penalltinë e parë të Bregut në ndeshjen kundër Bylisit. Ndërhyrja e mbrojtësit kundërshtar ishte e gabuar. Lojtari ynë e vodhi atë penallti, por ishte faull brenda zone", tha fillimisht ai.
Në panelet sportive është folur dhe diskutuar shumë për këtë moment të Skënderbeut në zonën mallakastriote. Shumë prej tyre janë shprehur kundër, ndërsa Fakiç ka mendime krejt tjetër: "Edhe me VAR ajo ndërhyrje do të ishte penallti. Ishte ndërhyrje e gabuar në kohën dhe në momentin e gabuar, fatkeqësisht për mbrojtësin kundërshtar. Për kuriozitet, e kam konsultuar këtë rast edhe me arbitra ndërkombëtarë dhe më janë shprehur se 11-metërshi është i saktë", shtoi më tej drejtori, Haris Fakiç.
Ai nuk preferon të nxisë polemika apo të krijojë debat. Megjithatë kërkon t'u bëjë thirrje të gjithë sportdashësve apo edhe "aktorëve" të Superiores që ta vlerësojnë fitoren e Skënderbeut në një fushë të vështirë si ajo e Ballshit. "Nuk dua të krijoj debat apo polemika. Zgjodha të flas për këtë rast sepse s'dua të na mohohet fitorja me shumë mund dhe mjaft e merituar kundër një ekipi mjaft në formë siç është Bylisi. Golat ishin të bukur. Nëse do të analizojmë gjatë ndeshjen do të konkludojmë se më pak penallti ka qenë ajo e Bylisit se e jona. Edhe një herë, fitorja në Ballsh ishte më se e merituar. Arritëm të triumfojmë përballë një skuadre mjaft në formë ndaj duhet të përgëzohemi për këtë", përfundoi Haris Fakiç.
Skënderbeu arriti të fitonte në një ndeshje dramatike kundër Bylisit duke përmbysur rezultatin në 2-3. Një sfidë që ngjalli mjaft reagime për shkak të 3 penalltive të akorduara, 1 për mallakastriotët e 2 për llogari të korçarëve. /Newsport.al./